Shkurt 17, 2022 08:46 Europe/Tirane
  • Shqipëria përmirësohet në Indeksin e Lirisë Ekonomike, dobët integriteti i qeverisë

Shqipëria është renditur në vendin e 50 në botë në indeksin e lirisë ekonomike, të publikuar nga Fondacioni Heritage, duke u rritur me 1.4 pikë në raport me vlerësimin e mëparshëm, pas përkeqësimit që kishte shënuar në raportin e vitit 2021.

Shqipëria, me 66.6 pikë, hyn në grupin e ekonomisë së lirë të moderuar, që është kategoria e tretë (60-69 pikë), pas ekonomisë tërësisht të lirë (80-100 pikë) dhe kryesisht të lirë (70-79.9 pikë). Ekonomitë tërësisht të lira janë Singapori, Zvicra, Irlanda, Zelanda e Re.

Vendi ynë ka lirinë ekonomike më të madhe në rajon, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut (53), Serbinë (59), Bosnjë Hercegovinën (68). Më keq renditen Kosova (86) dhe Mali i Zi (103).

Indeksi i lirisë ekonomike bazohet në katër kategori kryesore:

-Zbatimi i rregullave (Të drejtat e pronës; Efektiviteti Gjyqësor; Integriteti i qeverisë)

-Madhësia e qeverisë (Barra tatimore; Shpenzimet qeveritare; Shëndeti Fiskal)

-Eficienca e institucioneve rregullatore (Liria e Biznesit; Liria e Punës; Liria Monetare)

-Tregjet e hapura (Liria e Tregtisë; Liria e Investimeve; Liria Financiare).

Vlerësimet më të larta (pozitive) janë për barrën e taksave (89.1 pikë), lirinë e tregtisë (82.6) dhe lirinë monetare (82). Vlerësimi më i ulët është për integritetin e qeverisë (35.6 pikë) dhe efektivitetin e gjyqësorit (49.8).

Sipas raportit, gjatë pesë viteve të fundit, ekonomia e Shqipërisë u rrit nga 2017 në 2018, u ngadalësua në 2019, u kthye në negative në 2020 dhe u rimëkëmb në 2021. Shqipëria ka regjistruar një rritje të përgjithshme prej 2.2 pikësh të lirisë ekonomike që nga viti 2017, e udhëhequr nga rritja e rezultateve në të drejtat e pronësisë dhe efektiviteti gjyqësor, por megjithatë mbetet në rangun e mesëm të vendeve “Mesatarisht të Lira”. Madhësia e qeverisë dhe treguesit e tregjeve të hapura janë pozitive, por sundimi i ligjit mbetet problematik.

Zbatimi i ligjeve

Raporti vlerëson se mbrojtja e pronës është e dobët, për shkak të paqartësisë së titujve, pjesërisht sepse manipulimi i gjykatave bën të mundur marrjen e titujve të paligjshëm dhe ndonjëherë të mbivendosur. Sistemi i regjistrimit është i pamjaftueshëm. Gjyqësori i pavarur i nënshtrohet presionit politik, frikësimit dhe burimeve të kufizuara. Rritja ekonomike pengohet nga korrupsioni endemik, zbatimi i pabarabartë i legjislacionit, burokracia e rëndë, shtrembërimi i konkurrencës dhe mungesa e transparencës.

Madhësia e qeverisë

Shkalla më e lartë e tatimit mbi të ardhurat individuale është 23 për qind, dhe shkalla më e lartë e tatimit mbi korporatat është 15 për qind. Barra e përgjithshme tatimore është e barabartë me 18.3 për qind të të ardhurave totale të brendshme. Shpenzimet qeveritare kanë arritur në 30.5 për qind të prodhimit total (PBB) gjatë tre viteve të fundit, dhe deficitet buxhetore kanë arritur mesatarisht 3.3 për qind të PBB-së. Borxhi publik është i barabartë me 76.0 për qind të PBB-së.

Eficienca e institucioneve rregullatore

Të bësh biznes në Shqipëri mund të jetë e vështirë. Praktikat joformale të biznesit dhe proceset e parregullta të prokurimit qeveritar kontribuojnë në pasigurinë e biznesit. Ligjet e punës nuk zbatohen në mënyrë të barabartë. Pesha e punësimit informal ka qenë më e larta në rajon. Sektori i energjisë aktualisht është tërësisht i varur nga një sistem jo i qëndrueshëm i subvencioneve shtetërore.

Tregjet e hapura

Shqipëria ka në fuqi pesë marrëveshje tregtare preferenciale. Norma tarifore mesatare e ponderuar e tregtisë është 3.7 për qind dhe janë në fuqi 196 masa jotarifore. Pavarësisht disa përparimeve në modernizimin e regjimit të investimeve, ka kufizime për pronësinë e huaj. Sistemi financiar mbetet relativisht i qëndrueshëm. Sektori bankar është i mirë provigjonuar./gazetashqiptare/