PD nxjerr dokumentet e implikimit të Engjëll Agaçit tek afera e inceneratorëve!
Partia Demokratike ka publikuar dje të tjera dokumente në të cilat faktohet se sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, është i përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Këshilltari ligjor i PD-së, Marash Logu, postoi dje dy korrespodenca të Agjencisë së Prokurimit Publik që është në varësi të Kryeministrisë e për rrjedhojë në vrasësi të drejtpërdrejtë nga Ëngjëll Agaçi me Ministrinë e Mjedisit.
Sipas dokumentit të publikuar nga PD-ja në datën 11.11.2014, ministri i Mjedisit Lefter Koka i drejton një shkresë Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), duke i kërkuar dhënien e mendimit lidhur me projektvendimin për procedurën e dhënies me koncesion të inceneratorit të Elbasanit, në procedurën përzgjedhëse me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.
Një ditë më pas, në datën 18.11.2014, APP-ja i kthen përgjigje ministrit Koka, duke cituar nenin 22, pika 3 të ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik/privat”, sipas të cilit për dhënien e koncesioneve/PPP mund të përdoren vetëm njërën nga tri procedurat: procedurën e hapur, procedurën e kufizuar dhe procedurën me negocim me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.
Duke qenë se procedura e propozuar nga ministri Koka, “me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” nuk bënte pjesë tek asnjëra prej procedurave të parashikuara nga ligji për koncesionet dhe prokurimet publike, APP-ja i kërkon ministrit që procedura të kryhet në përputhje me parashikimet ligjore.
Për dijeni të këtij informacioni, është vendosur edhe sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Ëngjëll Agaçi. Pra, numri dy i Kryeministrisë, ka qenë plotësisht në dijeni se procedura e propozuar ishte në kundërshtim me ligjin.
Megjithëse Agaçi ka qenë i vetëdijshëm për shkeljen flagrante të nenit 22 të ligjit për koncesionet, ai i ka paraqitur qeverisë për miratim Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 907, datë 17.12.2014 për miratimin e sigurimit të financimit për kontratën koncesionare të Inceneratorit të Elbasanit.
PËRGJEGJËSIA
Sipas ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”. Konkretisht, neni 9 parashikon se sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrit ushtron, ndër të tjera, kompetencat si vijon “kthen në bazë të argumenteve ligjore, projektaktet e paraqitura për shqyrtim, kur ato bien në kundërshtim me Kushtetutën ose ligjin”.
Ndërkohë, kryedmeokrati Lulzim Basha në një prononcim për mediat dje tha se në aferën e inceneratorëve janë të përfshirë gjysma e kabinetit qeverisës dhe zyrtarë të lartë.
“Ne kemi 6 vite që e denoncojmë. Vitin e kaluar kemi qenë së bashku 3 javë ditë për ditë në ditët e fundit të vitit. Por, Komisioni ka bërë atë çka denoncimet e opozitës dhe të gazetarëve dhe të medias nuk arrinin dot ta bënin të plotë. Ka zbërthyer mekanizmin se si janë vjedhur këto para. Dhe mekanizmi është një mekanizëm i denjë për skenarët e mafies.
Të përfshirë janë gjysma e kabinetit qeveritar, të gjithë zyrtarët e lartë, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, drejtorët më të lartë të shtetit, agjencive të shtetit të përfshirë drejtpërsëdrejti ose përmes dëshmive të tyre siç ishte dëshmia e drejtoreshës së Prokurimeve, e cila praktikisht tha se Inceneratori i Elbasanit është prokuruar pa prokurim, pra pa pasur një procedurë prokurimi”, tha kryedemokrati Basha./ Panorama/gayetashqiptare/