Goditje tjetër, fshatit: Eksportet e zarzavateve të serave ranë 14%
Eksportet e grupit të ushqimeve u rritën me 28% në muajin janar, por eksporti i prodhimeve të serrave i përfaqësuar nga zarzavatet pësoi rënie me 14% sipas të dhënave të INSTAT për ecurinë e tregtisë me jashtë në muajin e parë të këtij viti.
Eksportet e ushqimeve u nxitën nga eksporti i peshkut të freskët dhe atij të përpunuar, por treguesi që lidhet me zhvillimet në bujqësi tregoi dobësi të theksuar këtë vit.
Të ardhurat nga shitja e prodhimeve të serrave (zarzavatet) zbritën në 278 milionë lekë në janar 2022 nga 324 milionë lekë në janar 2021 duke shënuar rënie të fortë. Të njëjtin trend ndoqi edhe eksporti i zarzavateve të përpunuara, të cilat pas një rritje domethënëse vitet e fundit shënuan rënie vjetore të eksporteve me 8 për qind në muajin janar.
Ulja e eksporteve të zarzavateve u lajmërua me herët nga fermerët dhe tregtarët. Shkaqet lidhen me situatën e vështirë që është duke kaluar sektori i bujqësisë, nga rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe çmimet e ulëta të shitjes nga ana tjetër. Fermerët në zonat më prodhuese të vendit kanë lajmëruar se këtë vit sipërfaqja e kultivuar është ulur ndjeshëm deri në 25%. https://www.monitor.al/sektori-bujqesor-ne-veshtiresi-si-po-braktisen-serat/
Pas humbjeve që pësuan vitin e kaluar shumë fermerë kanë braktisur serat dhe po i drejtohen emigracionit. https://www.monitor.al/fermeret-po-lene-investimet-ne-shqiperi-dhe-po-ikin-serish-ne-emigracion-arsyet/
Sektori bujqësisë që zë më shumë se 20% të PBB-së dhe kontribuon me rreth 42 % të punësimit total merr më pak fonde nga buxheti i shtetit në formën e subvencioneve në krahasim me vendet e tjera të Rajonit ku ky sektor ka peshë shumë të vogël në ekonomi, por ka mbështetje shumë më ta madhe nga qeveritë.
Së fundmi janë shtuar protestat e fermerëve që ankohen për rritje të kostove, mosefektivitete të skemave të subvencionimit dhe vendosjen e TVSH-së prej 10% për plehrat kimike, duke filluar nga janari i këtij viti.
Eksportet e peshkut rriten me ritme dyshifrore
Eksportet e peshkut të freskët dhe të përpunuar pësuan rritje 19.5 për qind në muajin janar. Zgjerimi i eksportit të peshkut po nxitet nga rritja e investimeve në këtë sektor. Vitet e fundit industria përpunuese e peshkut është zgjeruar ndjeshëm për shkak të kërkesës së lartë në tregjet e huaja për produktet e peshkut.
Eksportet e peshkut dhe asortimenteve nga përpunimi i tij dhe prodhime të tjera të detit ishin grupet me vlerën më të lartë të shitjeve jashtë gjatë muajit janar. Dy grupet “Peshku dhe kafshët guaskore të nënujshme” dhe “Ushqimet e përgatitura nga mishi, peshku dhe molusqet” arritën një vlerë totale prej 1,2 miliardë lekësh më 2020, me rritje vjetore prej 19,5%.
Alban Zusi, e cili drejton Shoqatën e Eksportuesve dhe zotëron një fabrikë të përpunimit të peshkut, tha se rritja e eksporteve në këtë segment erdhi pas zgjerimit të investimeve. Vitet e fundit, kuotat e financimit nga subvencionet dhe programet e IPARD kanë mbështetur sektorin e përpunimit, duke rritur edhe vlerat e financimit.
Të kombinuara me kërkesën në rritje nga jashtë, eksporti i peshkut ka shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit, por zgjerimi po kufizohet nga kuotat që ka vënë Bashkimi Europian.
Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 tonë peshk të përpunuar, açuge të konservuar.
Industrialistët shqiptarë kanë kërkuar zgjerimin e kuotave me BE-në deri në 4000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar kanë dështuar vitin e kaluar pas refuzimit të BE për të pranuar kërkesën e Shqipërisë.
Ngërçi është krijuar, pasi në treg janë zgjeruar dhe kompanitë që funksionojnë si fason, pra përpunojnë lëndën e parë për llogari të industrialistëve europianë, kryesisht italianë, dhe taksohen vetëm mbi vlerën e punës. Në bazë të këtij regjimi, importohet peshk i papërpunuar, kryesisht nga Kroacia, Italia, Spanja dhe Argjentina, i cili përpunohet dhe ambalazhohet në Shqipëri dhe eksportohet në BE.
Bimët mjekësore, eksportet rriten 34 % në janar
Eksportet e bimëve mjekësore po vijojnë të rriten me ritme të larta edhe këtë vit. INSTAT raportoi se, në janar eksportet e këtij grupi arritën në 529 milionë lekë me rritje vjetore 34%.
Pandemia e Covid-19 e ndikoi pozitivisht eksportet e grupit, pasi befas njerëzit në të gjithë globin shtuan kujdesin për shëndetin dhe të ushqyerit dhe në këtë mënyrë rritën kërkesën për bimë mjekësore.
Më të eksportuarat ishin molla e egër, dëllinja e zakonshme dhe e kuqe, boronica. Kërkesa për dëllinjë në vitin 2020 u rrit ndjeshëm.
Zgjerimi i eksportit po vjen edhe nga rritja e kapaciteteve në përpunim. Subvencionet nga programi i Bashkimit Europian “IPARD Like” janë kanalizuar në përpunim, duke shtuar kapacitetet e prodhimit dhe eksportit.
Që sektori të rritet më tej duhet bashkëpunim më i madh me prodhuesit, sidomos drejt përdorimit të plehrave kimike shprehen eksportuesit Prodhimi bio i bimëve mjekësore do të rriste me 50% vlerën e eksporteve të grupit dhe për rrjedhojë, edhe fitimet e fermerëve./MONITOR