'Mes Yuri Kim e secilit nga shqiptarët non-grata, unë zgjedh shqiptarët'
Nga Ylli Manjani Edhe një sqarim, post-sqarim:
Zonja Kim, për përpjekje për të larë atë që bëri në mëngjes, thotë se “janë 4 persona të shpallur nongrata”… pra nuk është vetëm Berisha.
Po mirë e ça pastaj?!
Këto që shpallen nongrata për kushedi se ç’arsye politike, sepse nuk janë të deklaruar nga drejtësia amerikane, duhet t'i japin fund jetës në vendin e tyre?!
Kush e tha apo në ç’dokument ligjor shkruhet se po të të ndalohet hyrja në Amerikë u dashka të ndalosh aktivitetin politik në vendin tënd?!!
Po ata nongratat e tjerë në gjithë botën që zgjidhen në funksione drejtuese shtetërore dhe shefat e zonjës Kim i takojnë si Çeço, pse paskan të drejta më shumë sesa Gjushi, Toma apo Saliu?!
Ç’logjikë është kjo?!
Diplomatike?!
Ligjore?!
Kushtetuese?!
Jo moj zonjë jo!
Edhe ata që ju s’i doni për arsyet tuaja politike e diplomatike, kanë liri e të drejta të plota në vendin e tyre.
Nëse është për të zgjedhur ndërmjet zonjës Kim dhe secilit prej shqiptarëve nongrata, unë zgjedh shqiptarët. Pa asnjë hezitim që po!
As më plas fare ç’thotë një ambasadë apo një departament i një shteti tjetër. Në paçin bërë krime, t'i dënojë drejtësia.
Të tjerat janë llogje politike e diplomatike.
Ne në Shqipëri nuk jetojmë me vizë Amerikane, por me shtetësi e kombësi Shqiptare. Nuk na doni në vendin tuaj, dakord. Por kjo nuk na ndalon të jetojmë në vendin tonë si të na dojë kokrra e qejfit. Pa vizë amerikane e madje.
Dikush ta këshillojë zonjën se sa herë shprehet për këtë temë vetëm e rëndon pozitën e saj dhe diskretiton edhe më keq shtetin që mendon se përfaqëson.
E ka logjikën copë, po copë fare.
E lë namin topa topa- thonë andej nga Vlora./Syri