Rama i bën jehonë parkut të Porto-Romanos
Mëngjesin e së enjtes më 24 shkurt, kryeministri Edi Rama postoi në faqen e tij në Facebook një video të transformimit të fushës së mbetjeve në Porto Romano përmes projektit të njohur si Eko Parku.
Krahas videos, Rama shkruan: “me kujtimin e ferrit që lanë pas ata që na akuzojnë me tërbimin e humbësve të pangushëllueshëm, si dhe me disa pamje nga transformimi rrënjësor i atij ferri në një mushkëri të gjelbër për Durrësin…”.
Kryeministri e publikoi videon një ditë pas dëshmisë së tij maratonë në komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët dhe vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, ku përfshihet edhe Bashkia e Durrësit.
Ajo që kryeministri nuk thotë është fakti se tenderi i transformimit të fushës së mbetjeve në Porto-Romano po hetohet nga SPAK për korrupsion.
Tre javë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019 – kur Durrësi ishte ende një qytet ‘fantazmë’, kryeministri Edi Rama firmosi në emër të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile një vendim për menaxhimin e mbetjeve të krijuara nga tërmeti.
Vendimi i kryeministrit i hapi rrugën një tenderi pa garë me vlerë 1.9 miliardë lekë [15 milionë euro] për inkapsulimin dhe rijetëzimin e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano.
Me një efekt zinxhir, mbyllja e Porto-Romanos e la gjithashtu Durrësin pa venddepozitim mbetjesh dhe e futi bashkinë e dytë më të madhe të vendit në një situatë ‘emergjence mjedisore’, duke e detyruar atë që të negociojë për depozitimin e mbetjeve me koncesionarin e Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë – kompaninë ‘Integrated Energy B.V SPV’.
Për këtë tender pa garë, SPAK filloi hetimin rreth dy vite më parë për veprat penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender” dhe “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Koordinatorja për marrëdhënien me mediat pranë SPAK, Xhuljeta Krasta tha të premten për BIRN se procedimi penal për këtë çështje është regjistruar kryesisht dhe se “çështja vijon të jetë ende në hetim”.
I pyetur nga BIRN për propagandën e kryeministrit me një projekt që po hetohet nga SPAK, këshilltari për mediat, Endri Fuga tha publikimi në fjalë ishte informacion dhe se SPAK nuk po hetonte veprën.
“Edhe publikimi në fjalë është fakt, jo propagandë, ndërkohë që mesa kuptoj nga teksti juaj, në SPAK nuk po hetohet vepra, gjerësia, gjatësia, lartësia, elementët përbërës të saj, etj,”, tha Fuga, i cili shtoi se nuk shihte lidhje mes pyetjes dhe publikimit të një vepre, që shumë shpejt sipas tij do të jetë në dispozicion të qytetarëve dhe turistëve.
Ish-drejtori i AKUM në kohën e kyerjes së procedurës së prokururimit për këtë projekt, deputeti socialist Alqi Bllako, mohoi të kishte lidhje me procedurën e prokurimit.
“…Procedura për inkapsulimin dhe rijetëzimin e Porto – Romanos është zhvilluar bazuar mbi Vendimin e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile të datës 16.12.2019, ku është përcaktuar emergjenca dhe procedura e përshpejtuar. Duke qenë se mbas daljes së këtij vendimi kam qenë me leje për arsye familjare, nuk e kam ushtruar rolin e titullarit të autoritetit në lidhje me këtë procedurë ndaj nuk di detaje proceduriale rreth saj,” tha Bllako për BIRN.
Ai theksoi se tenderi i mëparshëm i hapur ishte anuluar për shkak të urdhrit të Ministrisë së Financave të datës 5 dhjetor 2019, e cila kërkonte anulimin e të gjitha procedurave të prokurimit në proces mbas tërmetit të datës 26 nëntor.
AKUM pati një rol përcaktues në mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano si dhe dërgimin e mbetjeve të qytetit të Durrësit drejt kompanisë koncesionare “Integrated Energy” BV SPV në Sharrë.
Në vitin 2019, Agjencia Kombëtare e Ujsjellës-Kanalizimeve dhe Insfrastrukturës së Mbetjeve, AKUM mbajti një mbledhje të Këshillit Teknik me qëllim mbylljen e venddepozimit të mbetjeve të Porto Romanos me argumentin se nuk plotësonte kushtet mjedisore.
Më 16 tetor 2019, AKUM hapi një tender me fond limit 1.6 miliardë lekë për mbylljen e venddepozitimit të Porto Romanos dhe ndërtimin e një Eko Parku, por e anuloi atë 3 ditë përpara hapjes së ofertave më 6 dhjetor.
Tenderi u rihap me procedurë të përshpejtuar pas vendimit të kryeministrit Rama me 16 dhjetor 2019, për menaxhimin e mbetjeve të krijuara nga tërmeti dhe 11 ditë më pas – pasi AKUM negocioi me 4 kompani, shpalli fituese bashkimin e operatorëve De Mare Srl & dhe Victoria Invest International.
Më 13 janar 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit, KKT miratoi lejen e ndërtimit për projektin e rijetëzimit të fushës së mbetjeve në Porto Romano./Syri