Testi i drogës, nis faza e dytë për policët pozitivë
Punonjësit e policisë që kanë rezultuar pozitivë në testin e parë të drogës do i nënshtrohen një tjetër ekzaminimi. Policia e Shtetit njofton se faza e dytë do të kryhet pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore. Kjo pas një marrëveshjeje mes policisë dhe IML-së për kryerjen e ekzaminimit toksikologjik për lëndët psikotrope.
Konkretisht janë 45 punonjës të cilët në testin e kryer në një laborator privat rezultuan pozitivë dhe do t’i nënshtrohen fazës së dytë. Në rast se edhe në këtë rast do rezultojnë pozitivë, ata do të përjashtohen nga radhët e uniformave blu. Në kohën kur pritet të kryhet dhe testi i dytë ndaj tyre, kryhen hetime administrative nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Prej nisjes së testit të drogës për efektivët e policisë, janë ezkanimuar 1736 punonjës, kryesisht nga sektorë dhe mosha me risk. Deri më tani është vetëm një punonjëse policie që është përjashtuar, duke analizuar edhe rrethanat e tjera të cilat vërtetojnë shkeljen e rëndë disiplinore. Testi i drogës për punonjësit e Policisë së Shtetit, nisi në 15 Nëntor të vitit të shkuar. Ky proces është kryer në gjithë drejtoritë vendore, me përzgjedhje rastësore të punonjësve që dyshohen si përdorues të lëndëve narkotike./Syri