Mars 14, 2022 11:12 Europe/Tirane
  • Si e shpërfilli Qeveria në 2015, transparencën e çmimit me shumicë të karburanteve

Pas shpërthimit të protestave qytetare, qeveria shqiptare vendosi ngritjen e një strukture të posaçme të mbikëqyrjes së çmimeve të karburanteve.

Sipas informacioneve paraprake të dhëna nga Kryeministri dhe Ministrja e Energjetikës, ky Bord praktikisht do të vendosë nën administrim çmimet e tregtimit të karburanteve në vend.

 

Pjesë e rregullimeve të reja të tregut do të jetë edhe transparenca me bazë ditore e çmimeve të shitjes me shumicë. Kjo ndërhyrje e qeverisë në tregun e karburanteve erdhi pasi çmimet shënuan një rritje rekord dhe të paprecedentë, duke arritur në disa raste në kufijtë e 300 lekëve për litër.

 

Në fakt, problematikat e lidhura me funksionimin e konkurrencës në tregun e importit dhe shumicës së karburanteve e kanë bërë atë shpesh herë objekt monitorimesh dhe hetimesh nga Autoriteti i Konkurrencës. Në vitin 2015, hetimi i thelluar evidentoi probleme të lidhura me shkallën e lartë të përqendrimit të tregut dhe integrimin vertikal të ndërmarrjeve në treg, që nënkupton se të njëjtët sipërmarrës janë të pranishëm pothuajse në të gjitha nivelet e tregut, që nga importi, magazinimi, tregtimi me shumicë dhe deri tek shitjet me pakicë.

Bazuar në problemet e evidentuara, Autoriteti i Konkurrencës hartoi edhe disa rekomandime për qeverinë shqiptare. Një nga rekomandimet kryesore ishte krijimi i bazës ligjore dhe infrastrukturës administrative të nevojshme, për një njësi të transparencës së çmimit të hidrokarbureve, në të cilën ndërmarrjet që operojnë në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve duhet të njoftojnë në kohë reale brenda 5-15 minutash njësinë përkatëse dhe Autoritetin e Konkurrencës për çdo ndryshim të çmimit të shitjes me shumicë. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, ky rekomandim bazohej në praktikat e ndjekura nga institucionet garantë të konkurrencës në vendet e zhvilluara dhe kryesisht të Autoritetit të Konkurrencës në Gjermani.

Por, rekomandimet e dhëna në vitin 2015 nga Autoriteti i Konkurrencës u shpërfillën krejtësisht nga Qeveria shqiptare dhe kryesisht ministria e linjës, ajo e Energjetikës. Madje, Ministri i Energjetikës në atë kohë i ironizoi rekomandimet, duke u shprehur se ato hynin në çështje që nuk i përkisnin Autoritetit të Konkurrencës.

Në fakt, transparenca e çmimeve me shumicë për një treg jetik, si ai i karburanteve, do të ndihmonte për të evidentuara sjellje të mundshme abuzive, edhe duke pasur parasysh faktin se tregtimi me shumicë i karburanteve historikisht ka pasur një strukturë oligopoli dhe shkallë relativisht të lartë përqendrimi. Kjo lidhet kryesisht me barrierat financiare, infrastrukturore dhe logjistike që vështirësojnë hyrjen e konkurrentëve të rinj në treg.

Madje, nga hetimi i Autoritetit të Konkurrencës ë vitin 2015 rezultoi se shpeshherë kompanitë importuese i blejnë ngarkesat e karburantit jashtë vendit në mënyrë të përbashkët, një element që potencialisht mund të shtojë gjasat e sjelljes së bashkërenduar në përcaktimin e çmimeve.

Mungesa e vullnetit të qeverisë për të vendosur rregull dhe transparencë në një treg ku konkurrenca, edhe për arsye objektive, është e kufizuar ka krijuar një kosto për konsumatorët. Vetëm në momentin kur situata është bërë serioze dhe kur është vendosur nën presionin e protestave qytetare, qeveria ka vendosur të reagojë me masa drastike, të justifikuara edhe me situatën e emergjencës që ka shkaktuar lufta në Ukrainë. Megjithatë, shembulli i tregut të karburanteve tregon se adresimi i probleme të tregjeve duhet bërë në kohëra normale, para se problemet e funksionimit të tyre të prodhojnë një faturë të rëndë ekonomike dhe sociale për shoqërinë./MONITOR