Prodhuesit, propozime për të zbutur krizën që po troket
Rritja e çmimit të energjisë, karburanteve, lëndëve të para në tregjet e huaja dhe taksave vijon të shtojë kostot për industrinë prodhuese dhe shërbimet e transportit. Shoqatat e biznesit dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë rekomandojnë ndryshime fiskale te karburantet dhe kompensim për tarifën e shtrenjtuar të energjisë te ndërmarrjet prodhuese, për të shpëtuar mbylljen e fabrikave.
Biznese të industrisë së përpunimit të mishit, qumështit, pijeve alkoolike dhe shërbimi i transporteve ngrenë njëzëri shqetësimin e shtimit të kostove nga shtrenjtimi i çmimit të energjisë, gazit, karburanteve, lëndëve të para në tregjet e huaja dhe taksave të reja për vitin 2022.
Në proponcimet për Monitor ata japin sugjerimet se si mund të lehtësohen problematikat me të cilat po përballen.
Subvencione për rritjen e çmimit të energjisë elektrike deri te heqja e akcizës së karburantit dhe gazit, kthimi i skemës së rimbursimit të TVSH-së për grumbulluesit e mallrave agroindustriale dhe përjashtime janë rekomandimet e shoqatave të biznesit dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për sektorët e ekonomisë, të prekur nga rritja e kostove.
Sektorët prodhues të prekur nga rritja e kostove
Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhueseve Shqiptarë, Arben Shkodra, pohon se rritja e kostove ka prekur të gjitha industritë e ekonomisë, si: përpunuesit e mallrave të ushqimit, prodhuesit e pijeve alkoolike, metalit, drurit, konvertuesit e plastikës dhe letrës, si dhe prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve.
“Vitin e kaluar, Bashkimi i Prodhuesve i kërkoi qeverisë marrjen e masave mbështetëse nga rritja e çmimeve të lëndëve djegëse dhe mosheqjen e përjashtimeve fiskale.
Nuk ishte koha që qeveria të ndërhynte për ndryshimin e taksave, përkundrazi të lehtësoheshin stimujt fiskalë për bizneset, për të krijuar masa mbrojtëse edhe për vështirësitë e tjera që po lindin nga vala e dytë e rritjes së çmimeve pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë.
Në anën tjetër, reforma për liberalizimin e shitjes së energjisë po krijon deformime në treg. Për sektorë të caktuar, ka dy fasha të çmimeve të energjisë elektrike. Bizneset e tensionit të lartë, që kanë dalë në tregun e liberalizuar, por të parregulluar, e blejnë energjinë 50 lekë/kilovat (me TVSH) dhe bizneset e lidhur me tensionin e ulët 20 kilovat e blejnë energjinë 18 lekë”.
Përfaqësuesi i Bashkimit të Prodhuesve nënvizon se, sipërmarrësit shqiptarë janë të pambrojtur nga vala e dytë e rritjes së çmimeve që fillon pas luftës Rusi-Ukrainë, gjë që do të rëndojë më tepër konsumatorin.
“Sipërmarrësit aktualisht po ndiejnë ‘fishkëllimin e kamxhikut’ vetëm nga ndryshimet e ekonomisë globale, siç janë rritja e tarifave të transportit dhe lëndëve të para, ndërsa rritja e çmimit të naftës dhe mallrave të tjera të bursës e vështirësojnë koniunkturën e prodhimit vendas.
Tregu shqiptar është i varur nga importet e lëndëve të para dhe produkteve të gatshme, si dhe nga importi i gazit, karburantit dhe energjisë elektrike, pasi nuk janë bërë asnjëherë përpjekje për të pasur pavarësi, të paktën për energjinë elektrike. Përballë kësaj situate, vendi është i ekspozuar dhe i pambrojtur nga koniunkturat botërore.
Çdo luhatje e çmimeve të vajit të lulediellit, grurit dhe misrit në tregjet ndërkombëtare për shkak të fillimit të luftës në Ukrainë do të reflektohet në tregun vendas”, thotë z. Shkodra.
Çfarë kërkojnë përpunuesit e mishit
Prodhimi i sallamit vendas në 2020 ishte 9,6% më pak se një vit më parë, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Prodhimi i proshutës ra rreth 1%. Në konsum, rënia e prodhimit është zëvendësuar nga importi. Importet e proshutës dhe sallamit për 2021 janë rritur 15,5% më shumë se në vitin 2020, sipas të dhënave të doganave.
Kompanitë përpunuese të mishit thonë se janë në vështirësi këtë vit për shkak të rritjes së çmimit të energjisë, lëndëve ndihmëse për prodhimin e sallamit dhe materialet e ambalazhimit. Për Nikolla Tona, përpunuesin e mishit të fabrikës “Tona” në qytetin e Korçës, shqetësimi kryesor është rritja e kostos prodhuese nga shtrenjtimi i energjisë.
Fabrika është e lidhur me tensionin e mesëm 20 kilovat dhe për vënien në punë të saj, energjia në tregun e liberalizuar blihet 25 lekë për kilovat nga 11,2 lekë që paguhej më parë. Sipërmarrësi thotë se shpenzimet ditore nga çmimi i ndryshuar i energjisë elektrike janë shtuar 130,000 lekë. Administratori i kompanisë thotë se rritja e çmimit në këto nivele është vrastare për industrinë e përpunimit të mishit.
Për të amortizuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë te kostot prodhuese të biznesit, Nikolla Tona rekomandon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorin familjar, në të kundërt ndërmarrjet prodhuese do të falimentojnë. “Energjia është kosto bazë për fabrikën tonë, pasi përdoret jo vetëm për prodhimin, por edhe për dhomat frigoriferike.
Me rritjen e çmimit të energjisë, fatura e muajit janar është 5,3 mln lekë nga 3,2 mln lekë për janar 2021, kur 25-40% e konsumit të energjisë për këtë vit është mbuluar nga pasqyrat foltaike (në varësi të kushteve atmosferike). Bizneset përpunuese nuk mund të përballojnë rritje çmimi më të lartë se 20%”.
Çdo ditë vrasim mendjen sesi të amortizojmë kostot e larta nga rritja e çmimit të energjisë dhe lëndëve ndihmëse prodhuese, por nuk ka mbetur asnjë hapësirë. Në anën tjetër e kemi të pamundur që koston e shtuar ta reflektojmë në rritjen e çmimeve për konsumatorin, pasi do të favorizohej rritja e shitjeve të produkteve nga importi.
Produktet e rajonit do të shiteshin me çmime më të lira se ato vendase, pasi kostot e prodhimit nuk janë prekur nga rritja e lartë e çmimit”, nënvizon z. Tona.
Rritja e çmimit të energjisë për konsumatorin familjar, për shkak të pamundësisë së bizneseve prodhuese për të zbutur efektet e rritjes, rekomandohet si masë lehtësuese për institucionet shtetërore edhe nga presidenti i Qendrës së Eksporteve, Alban Zusi. Ai pohon se situata është shumë e rënduar, për këtë arsye shpenzimet e shtuara të biznesit nga energjia elektrike duhet të përballohen nga shteti.
“Vendimi që kostoja për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, të mos i shpërndahet konsumatorit familjar, por t’u lihet vetëm bizneseve, është strategjia më e gabuar.
Sipërmarrjet nuk kanë asnjë alternativë për të ulur konsumin, pasi kjo do të sillte rënie të prodhimit. Nëse do të kishte rritje të çmimit të energjisë për abonentët familjarë, këta do të ulnin konsumin, do të reduktonin kohën e vënies në punë të pajisjeve elektroshtëpiake. Konsumatori e ka më të lehtë të amortizojë rritjen e çmimit, ndërsa ndërmarrjet nuk kanë alternativë.
Çmimi i energjisë për bizneset nuk duhet të kalojë 20% rritje. Nëse e gjithë barra i lihet biznesit, shumë prej tyre do të mbyllin dyert, të tjerë do të ulin tërësisht aftësinë për të investuar dhe për të rritur pagat. Nuk ka shanse që në këto kushte t’u kërkosh bizneseve rritje të pagave. E gjithë ekonomia do të vuajë. Duke dashur t’i kursejmë 100 lekë/muaj nga fatura e dritave një familje, në fakt do t’i heqim shansin t’i rritet paga apo të hapet një vend i ri pune”..Dorina Azo/MONITOR