Rama: Nafta do rritet sërish
Kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria po sheh mundësinë që të rishikohet fatura e energjisë elektrike për ata abonentë familjarë që harxhojnë shumë.
Rama nuk dha detaje në lidhje me fashën e harxhimit, por theksoi se ky është një detaj që po merret në konsideratë.
"Ne po i mbrojmë të gjitha familjet dhe bizneset nga shtrenjtimi i energjisë elektrike duke i ofruar të njëjtin çmim pavarësisht çfarë po ndodh në treg. Do t’i heqim nga mbrojtja e plotë familjet që harxhojnë shumë energji elektrike se jetojnë në kushte të mira, por ato janë shumë pak. Për momentin, asnjë familje nuk ka rritje të energjisë elektrike, po ashtu edhe bizneset e vogla. Por, ne nuk duam që ajo mbështetje që po japim tani, të na duhet ta përsërisim edhe pas tre muajve”, tha kryeministri duke bërë kështu një njoftim shumë të rëndësishëm sa i përket çmimit të energjisë elektrike për një pjesë të familjeve.
Rama gjithashtu paralajmëroi një rritje të çmimit të naftës në 3-mujorin e dytë dhe të tretë të këtij viti.
“Diktohet nga domosdoshmëria për të pasur një qasje të ndryshme nga ajo e kohëve normale. E dini që unë nuk hyj te ata që besojnë te ndërhyrjet në treg, por kjo vlen për një kohë normale dhe kjo vlen për krizat organike të një kohe normale, siç ishte dhe kriza organike e inflacionit në të gjithë botën me një rritje të lehtë, jo të pandjeshme të çmimeve hap pas hapi në periudhën e fundit. Sot s’jemi në këto kushte. Kriza s’është organike, është e imponuar nga një agresion ushtarak i një fuqie të madhe ekonomike në furnizimin e shumë lëndëve të para, Rusisë mbi Ukrainën dhe nga një sërë zhvillimesh të kësaj lufte që po krijojnë në mënyrë të vazhdueshme një destabilizim të tregut që ju jeni dëshmitarë".
"Dua të jeni të bindur që i dimë vështirësitë tuaja në këtë situatë, ku vështirësia kryesore dhe ajo që mund të rëndohet më tutje është gjetja e tregjeve, zëvendësimi i tyre, por tani është momenti për të harruar fitimin. Tani është momenti për të vendosur kapacitetet tuaja në funksion të përballimit të kësaj sfide të madhe që na ka zgjedhur dhe të mbështetjes së atyre që janë më në nevojë se ne që jemi këtu. Janë disa produkte bazë të shportës dhe këtu produkti më domethënës për sa po flasim është vaji që ka kërcyer në çmim jo pa arsye, por kur ne besojmë se ka hapësirë të mjaftueshme për të manovruar me një ulje të çmimit për to.
E di edhe çështjen e furnizimit. E di që është problem kudo, jo vetëm në Shqipëri. Unë kam bërë komunikimet e mia për hapjen e mundësisë së furnizimit, ku edhe vende të mëdha e kanë problem në afat të sigurimin e sasive të nevojshme bazuar në shifrat e konsumit, patjetër s’ka si të jetë ndryshe. Vend për të ndërhyrë ka dhe ka jo pak në këtë moment. Nuk mund të bëhet asnjëlloj eksperiment fitimprurës këtu me idenë që këta po blejnë. Është domethënëse për ne që konsumi nuk ka rënë. Kjo s’do të thotë që situata është e tillë ku ju mund të vazhdoni me këto çmime. Ato mund të rriten në vijim përsëri. Dje, kam qenë në një diskutim në Zoom me disa të tjerë jashtë vendit. Bota mund të përballet me shokun e furnizimit të karburantit. Në tremujorin e parë dhe të tretë të vitit si rezultat i daljes jashtë të një shifre marramendëse barelash që furnizohet nga Rusia. Çdo gjë është e hapur si mundësi”, tha Rama./Syri