Mars 17, 2022 18:26 Europe/Tirane
  • 500 mijë pula të ngordhura në Durrës

Ministria e Bujqësisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Institutit për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë bën të ditur se nuk ka asnjë rast të pranisë së influencës aviare (gripi i shpendëve) në Shqipëri deri më tani.

Reagimi i Ministrisë së Bujqësisë vjen pasi në disa pulari në Durrës kanë ngordhur 500 mijë pula.  

 

Pas analizave të kryera në tre data të ndryshme dhe me mbi 60 kampione, Ministria e Bujqësisë sqaron se nga rezultatet e marra nga mostrat e dërguara nga Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve drejt laboratorit të certifikuar në Institutin për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë përjashtojnë kategorikisht sëmundjen virusale të gripit të shpendëve. 

"Rezultatet e analizimit në laboratorin e referencës konfirmojnë se nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet ushqimore me origjinë nga shpendët.  

Ju bëjmë me dije se rastet e dyshuara janë të lokalizuara në vetëm 2-3 stabilmente në një zonë të vetme. Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjen e Bimëve dhe Instituti për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë janë në monitorim të vazhdueshëm dhe po bën kontrolle për të verifikuar arsyet e kësaj situatë epizootike". /Syri