Mars 25, 2022 15:52 Europe/Tirane
  • Tërheqja e detit në Shëngjin e Vlorë, flasin ekspertët

Qytetarët e Shëngjinit dhe të Vlorës janë bërë dëshmitarë të një fenomeni të pazakontë që po ndodh në këto dy plazhe, të cilat duket se kanë tërhequr vëmendjen edhe të shumë personave, të cilët për herë të parë janë përballur me një eksperiencë të tillë.

Bëhet fjalë për tërheqjen e detit me disa metra.

 

Së pari, fenomeni u konstatua në plazhin e Shëngjinit, kur qytetarë dhe turistë panë se si deti ishte tërhequr me disa metra, duke nxjerrë në pah qindra objekte, që deri dje kanë qenë të fshehura nën ujë.

 

Për të folur më shumë në lidhje me këtë temë ishte i ftuar në 'Kafe Shqeto' , në Syri Tv eksperti i mjedisit në Lezhë Jak Gjini dhe Niko Dumani ekspert mjedisi në Vlorë.

"Duke pasur parasysh se plazhet tona janë mjaft të cekëta një uljë e vogël vertikale zbulon sipërfaqe të mëdha.

Në fakt ne u gjendëm papritur para këtyre pamjeve. Këto lloj dukurish janë të përputhura me dukuritë natyrore baticë-zbaticë.

Për ato që merren me peshkim ky fenomen është krejt i dukshëm dhe i zakonshëm.

Edhe në aplikacion mund t'i gjejmë këto informacione. Dje bëra një matje dhe gjeta gjurmët që baticë-zbatica i lë në shtyllë,  dhe rezultonte se kanë një diferencë prej 14 centimeetrash kështu që mendojmë se sot ose nesër deti do të shkojë aty ku ka qenë", u shpreh Gjini.

Dumani: Kjo dukuri është një lloj batice që bashkë me zbaticat është normale. Kjo zbaticë është e theksuar dhe e veçantë por do të kemi parasysh që nuk është e rrallë por është e zakonshme.

Kjo ka ndodhur vjet në janar dhe sivjet po ndodh në mars.

Por lind pyetja pse kemi këto çrregullime të baticë-zbaticës?

Kjo shpjegohet nga disa fakte të bashkëveprimit të hënës me tokën, vetë toka nuk është sferike, boshtet  e poleve nuk janë të përptuhshme , dhe rrotullimi hënës po ashtu nuk është sferik.

Pra hëna bashkëvepron me tokën në mënyrë të çrregullt në mënyrë eliptike.

Pyetur nga moderatorët nëse ky fenomen po ndodh vetëm në Vlorë dhe Shëngjin apo në gjithë bregdetin, Dumani u përgjigj:

Ky fenomen ndodh më shumë në zonat bregdetare rënore, se sa në atë shkëmbore. Kjo nuk është asgjë e çuditshme, është një çrregullim i veçantë i lidhur me bashkëveprimin e hënës me tokën./Syri