120 mijë shpendë të ngordhur për t’u asgjësuar
Në Shqipëri rreth 320 mijë shpendë kanë ngordhur prej gripit të shpendëve, 120 mijë prej të cilëve janë për t’u asgjësuar.
Kështu njoftoi zv.ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi gjatë një konference për mediat. Gjeçi tha se ka nisur eliminimi i tyre nga kapanonet dhe dezinfektimi i kapanoneve. Gjeçi bëri me dije se gripi i shpendëve nuk transmetohet te njeriu. “Ne kemi ndaluar tregtimin e shpendëve në tregje, vetëm në thertore, sepse këto njesi garantojnë sigurinë ushqimore”, u shpreh Gjeçi. Gjeçi tha se konsumatori nuk duhet të shqetësohet, por problemi qëndron te humbja, ose te pakësimi i tufës së shpendëve. Ajo tha se qeveria është në suport të kompanive, që kjo gjë të mos ndodhë. “Dëmshpërblimi është i parashikuar me ligj dhe vjen pas një hetimi”, u shpreh Gjeçi. Gripi i shpendëve është identifikuar edhe te pelikanët në Shqipëri, si edhe në Greqi e në Maqedoninë e Veriut./Syri