Para nga Malta, për të blerë votat në Durrës më 25 prill
Pas urdhër arresteve të SPAK për çështjen e inceneratorëve, reagoi edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.
Kryemadhi ka risjellë në vëmendje akuzën se paratë e inceneratorëve kanë ardhur nga Malta dhe janë përdorur në zgjedhjet e 25 prillit, duke paralajmëruar sjelljen e fakteve të reja për këtë çështje.
‘Do t’ju rikujtoja të gjithë gazetarëve kam denoncuar që do të vinin nga Malta paratë e inceneratorëve për t’u përdorur në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar. Shumë shpejt do të njiheni dhe me atë dosje sepse ato para janë përdorur në mënyrë masive për blerjen e votës në Qarkun e Durrësit’, - tha Monika Kryemadhi.
Gjatë një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, ajo tha se për inceneratorët ka patur kontrata të cilat janë jashtë kësaj fushe, ndërsa meritat për hetimet i faturoi LSI-së, kurse komisionin hetimor e akuzoi për zvarritje dhe varrosje të të vërtetave.
‘Kjo që po ndodh sot me hetimet e inceneratorëve është meritë e LSI në lidhje me dosjet që ka dorëzuar në SPAK. U tentua me Komisionin të varroste të vërtetat e kësaj afere, por garantoj që kjo aferë nuk do të shuhet , por do ta çojmë deri në fund. Kjo çështje është grup i strukturuar kriminal sepse nëpërmjet parave janë kapur elementet më të rëndësishme të jetës politike shqiptare.
Në fakt tani dosja është SPAK. SPAK është në provë dhe çdo ecuri e kësaj çështje do të ndiqet. Afera e incenerarorëve shkon më tej se 430 milionë euro mos u çudisni kur të dalin në speca e bankat e shkollës, speca e domate apo avionë që fluturojnë në qiellin tonë. E them këtë se nëse do kishim hetim nga SPAK dhe Komisioni Hetimor i cili nuk ishte gjë tjetër veçse zvarritje ne do të ishim sot në kushte të tjera. Kemi kontrata të tjera jashtë fushës së inceneratorëve. Ne do të vazhdojmë të zbardhim këtë çështje. Qeveria paguan miliona euro vetëm për Klodian Zoton’./Syri