Lushnjë, fermerët braktisin serat
Fermerët e Lushnjës këtë sezon kanë braktisur masivisht kultivimin e perimeve në sera. Shkak i kësaj situate është bërë shtrenjtimi i imputeve bujqësore, mungesa e tregut apo dhe mbështetja e shtetit me subvencione.
Shtrenjtimi i karburantit, mungesa e tregut dhe premtimet e pambajtura të qeverisë për subvencionim, po detyrojnë dhjetëra fermerë në zonën e Myzeqesë të braktisin serat.
Dikur, kultivimi i perimeve në sera diellore ishte mjaft i përhapur dhe fitimprurës, ku fermerët kultivonin disa herë në vit tokat e tyre. Por, këtë vit, shumë fermerë kanë braktisur serat duke i lënë djerrë pasi siç shprehen ata, nuk kanë më interes të merren me bujqësi.
Zona e Gorresë apo dhe Këmishtaj në Lushnje, kanë pasur sipërfaqe të mëdha me sera, por aktualisht, të mbjellat në këto zona janë rrudhur ndjeshëm, ku faktorët kryesor lidhen me kostot e mëdha të prodhimit, dhe mungesën e mbështetjes nga shteti.
Ndaj, në këto kushte shumë fermerë, në pamundësi për të pasur aktivitet tjetër ekonomik, po u rikthehen kulturave bujqësore që kanë më pak kosto, duke përfshirë kultivimin e bimëve medicinale, vreshtave apo dhe ullishtave./Syri