Prill 01, 2022 17:52 Europe/Tirane
  • Trafikoi mbi 1 ton kanabis/ Ekstradohet ish-truproja e Tahirit

Është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri, Hekuran Marku, një nga truprojat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Marku u arrestua gushtin e kaluar në Gjermani në operacionin anti-drogë “Shpirti”, pasi ishte shpallur në kërkim.

Në të njëjtën kohë, u arrestua në Francë edhe ish-truproja tjetër i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Paul Deda.

 

Marku dhe Deda akuzohen se gjatë kohës që kanë shërbyer si truproja të ministrit Tahiri kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.

Përfshirja e tyre në trafikun e drogës ka dalë nga dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë, të cilët kanë rrëfyer në Bari për rrjetin e trafikut nga Shqipëria drejt Italisë. Ndërsa Marku është arrestuar, Deda ka kërkuar azil politik në Francë dhe kërkesa e tij po shqyrtohet nga autoritetet vendase.

Operacioni “Shpirti” kundër trafikut ndërkombëtar të drogës u zhvillua më 7 korrik të vitit të kaluar, në bashkëpunim me institucionet italiane të drejtësisë. 38 persona janë arrestuar për akuza të ndryshme si korrupsion, abuzim me detyrën, pastrim parash, trafik ndërkombëtar droge./Syri