Prill 03, 2022 18:09 Europe/Tirane
  • Nuredin Dumani po drejtonte BMW-në, nuk iu kundërpërgjigj të shtënave

Zbardhen të tjera detaje pas arrestimit të të shumëkërkuarit Nuredin Dumani i cili mbeti i plagosur nga atentati në Papër të Elbasanit. Burime bëjnë me dije se Dumani ka qenë në drejtim të BMW-së luksoze në momentin kur ra pre e atentatit.

Sipas dosjes së autoriteteve, thuhet se makina është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Pesë plumba kanë prekur mjetin në anën e shoferit, ndërsa tre të tjerë në pjesën e pasme dhe një në xhamin e parë.

 

Pas të shtanve, Dumani ka dalë nga makina dhe është pozicionuar për tu mbrojtur, por nuk ka qëlluar në asnjë moment në drejtim të autorëve që janë larguar.

 

Gjatë marrjes në pyetje, 39-vjeçari i tha policisë së nuk mundi t’i identifikojë autorët që qëlluan në drejtim të tij. BMW-ja me të cilën lëvizte Dumani ka pasur numrin e shasisë të dëmtuar për të mos u identifikuar.

Në makinë u gjet edhe një bidon me 1.5 litra benzinë, çka shton dyshimet e hetuesve, që Dumani mund të kishte përgatitur një atentat dhe më pas mjeti do të digjej.

Përveç sekuestrimit të disa armëve që dispononte Dumani dhe miku i tij Henrik Hoxhaj, policia ka gjetur edhe një shumë prej 2 mijë eurosh./Syri

Referuar dosjes hetimore, në mjetin me të cilin lëvizte Hoxhaj janë sekustruar 1650 euro dhe një kartëmonedhe 10 mijë lekëshe.

Nuredin Dumani ishte në kërkim për disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në qytetin e Durrësit. Ai akuzohet për vrasjen e Anxhelo Avdisë e Dorian Shkozës si dhe ekzektimin e vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia, ngjarje të ndodhura në qytetin e bregdetar të Durrësit.