Qeveria përpara 'çekut të bardhë': Faturave pa limit të importeve të energjisë
Qeveria ndodhet përpara një çeku të bardhë, të cilin do t’i duhet ta paguajë për importet e energjisë që aktualisht përbëjnë shumicën e furnizimit në vend.
Barra që do të kenë kompanitë publike të sektorit, buxheti i shtetit apo direkt e indirekt bizneset dhe familjarët, mbetet e paqartë, për aq kohë sa limitet e një skenari të përkeqësuar të krizës, nuk di t’i japë askush.
Bizneset në tension të mesëm po shfaqin probleme me arkëtimet dhe një pjesë e tyre refuzon të paguajë çmimin 18.8 lekë. Kjo kategori, nga 1 qershori, mund të përballet me një çmim të ri që nuk përjashtohet të jetë më i lartë në varësi të zhvillimeve. Kaskadën e Drinit e ka kapluar “errësira” dhe ndër tre prej hidrocentraleve, niveli i vetëm që dihet zyrtarisht është ai i HEC-it të Fierzës, me 259 metra.
Përballë një situate të vështirë, qeveria po vepron me politika spontane, duke nisur nga masat e kursimit tek ndryshimi i skemës së funksionimit të hallkave të sistemit energjetik, shkruan Nertila Maho në Monitor.
Që shqiptarët të qëndrojnë me sytë nga qielli nën panikun e një krize energjie nuk është diçka e re. E shohim të përsëritur vit pas viti, teksa politika nuk ka nguruar të qetësojë me refrenin se nëse nuk prodhojmë, do të importojmë, por energjia nuk do të mungojë.
Furnizimi nga importet është gjithashtu një praktikë me të cilën jemi mësuar përtej kostove të jashtëzakonshme, por viti 2022 ka një specifikë të ndryshme nga skenari që njihnim. Këtë herë, energjia është në pakicë, çmimet kanë prekur nivele rekord dhe kërkesa mbetet në rritje.
Të gjitha këto janë sinjale se nuk jemi përpara një krize dosido që na kap si çdo herë “me duar në xhepa”, por përpara një situate, nga e cila nuk dimë ç’të presim e që mund të përkeqësohet në çdo moment dhe nuk dihet deri ku do të shkojë.
Shqipëria nuk kishte blerë ndonjëherë më parë energji me 400-500 euro/MWh por këtë herë është detyruar që të ekspozohet në bursa me çmime të frikshme. Në një situatë e cila nuk dihet sa do të zgjasë, pyetja është: Edhe sa mund të rezistojmë dhe me çfarë kostoje?
Furnizimi dominohet nga importet, KESH 73% të energjisë e blen në treg të lirë
Importet janë kryesisht ato që po plotësojnë furnizimin me energji në vend. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) raportoi se ditë pas dite, nivelet e importit dhe prodhimit në kaskadë ndryshojnë, por peshën kryesore po e mbajnë blerjet në tregun e lirë.
Konkretisht, të premten datë 25 mars, prodhimi ditor nga kaskada ishte 4200 MWh, kurse importi 11 300 MWh, gjë që do të thotë se 73% e energjisë me të cilën KESH po furnizon Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU pjesë e OSHEE Group) është import.
Vetë kompania e shpërndarjes arrin të sigurojë një sasi energjie për mbulimin e humbjeve nga prodhuesit me përparësi të energjisë që janë HEC-et, me kapacitet të instaluar deri në 15MW, si dhe 11 impiante fotovoltaike, me kapacitet secili afërsisht 2 MW.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi e para se do të kishte një ndryshim rrënjësor të mënyrës sesi po bëhej furnizimi në vend e që pas 20 marsit, do të dominohej nga importet.
Më herët, baza kryesore ishte prodhimi në kaskadë mes 13-17 mijë MWh në ditë, si një formë për t’u mbrojtur nga çmimet e larta në bursa, të cilat kulmuan në javët e para të marsit, si efekt i konfliktit Rusi-Ukrainë. Pritshmëritë që të kishte përmirësim të situatës hidrike në marsit u zbehën duke zbritur me shpejtësi kuotën e Fierzës, e cila sot ndodhet në nivelin 259 metra.
Importet 92 milionë euro, fatura finale e 2022 një “çek” i bardhë”
Qeveria ndodhet sot përpara lëshimit të një çeku të bardhë, vlerën e të cilit nuk e di sesa do të shkojë, sa u takon importeve të energjisë. Me kushtet aktuale hidrike dhe me çmimet e larta në tregun e lirë, kjo vlerë mund të rritet me shpejtësi. Në tre muajt e parë të vitit, importet kapën shumën 92 milionë euro (përllogaritje të “Monitor” nga të dhënat zyrtare për periudhën 1 janar 2022 deri më 25 mars).
Vetëm pak ditë më parë, kreu i qeverisë deklaroi se në janar u shpenzuan për import mbi 32 milionë euro, ndërsa në shkurt, kur situata hidrike në kaskadën e Drinit ishte edhe më problematike, importi rezultoi mbi 48 milionë euro. Këto shifra, të marra së bashku me blerjet që ka bërë KESH gjatë marsit, me vlerë 10.8 milionë euro, importet japin vlerën 92 milionë euro.
Në fakt, marsi ka rezultuar më pozitiv sesa pritej nga qeveria, e cila parashikoi që me vlerat 550 euro në Bursa, importet mund të ishin 100 milionë euro vetëm për muajin e tretë të vitit.
“Parashikimi për blerjen në muajin mars, me çmimin që sapo ju thashë, mesatarisht 500 euro, është 100 milionë euro. Ndërkohë që parashikimi për muajin prill i pritshëm, duke qenë se kaskada do të prodhojë dhe më pak, është 134 milionë euro.
Në total, deri një muajin e katërt të këtij viti, faktikja e konsumuar dhe çfarë presim nga projeksionet do të arrijë rreth 320 milionë euro subvencion për sa i përket energjisë nga Qeveria Shqiptare dhe nga buxheti i shtetit” – do të shprehej Rama.
Situata me çmimet dramatike në Bursën Hungareze zgjati vetëm dy ditë, ndërkohë që javën e tretë të marsit e në vazhdim, çmimet janë stabilizuar mes 230-280 euro MWh.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur një seri procedurash për blerje energjie dhe në mars, në total u blenë mbi 39 mijë MWh energji, duke çuar në një çmim mesatar prej 274 euro/MWh, apo një kosto për kilovat/orë prej 33.7 lekë. Kësaj të fundit i shtohen edhe kosto transmetimi dhe shpërndarje, të cilat e rrisin edhe më tej.
Furnizimi me import kombinohet me prodhim nga kaskada në orar piku, kur çmimi i energjisë në bursë ka edhe vlerën më të lartë. Kjo praktikë zbut disi koston totale të energjisë.
Konsumi mesatar ditor ulet lehtë, luhatet në rreth 20 mijë MWh
Kursimi i energjisë është term i hasur jo pak këto kohë në fjalime, duke këmbëngulur që qytetarët dhe bizneset, të tregohen të kujdesshëm me konsumin. Këtë regjim, qeveria e nisi nga vetja, duke marrë një sërë masash paraprake për të ulur konsumin e energjisë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në dimër, mesatarja e konsumit luhatet mes 25 mijë MWh dhe më pas zbret në 23 MWh. Me ngrohjen e motit ka një tendencë për të ulur konsumin, i cili pëson luhatje në rritje në kohën e verës.
Në ditët e fundit, të dhënat zyrtare tregojnë se ka rënie të konsumit në rreth 20 mijë MWh, por nuk mund të bëhet një ndarje e saktë se sa për qind e kësaj uljeje të lehtë është si efekt i kushteve të motit dhe sa, si efekt i masave. Këto të fundit nisën një javë më parë, ndërkohë që nëse situata do të përkeqësohet, mund të përshkallëzohen.
Aktualisht, masat për kursimin e energjisë elektrike përfshinë si fillim ndërprerjen e ndriçimit në akset rrugore, aty ku është e mundur duke e lënë atë vetëm në pika ku është i nevojshëm për të parandaluar aksidentet.
Një masë tjetër ishte ajo ndaj bashkive, të cilave u është kërkuar që gjatë natës të ndërpresin ndriçimin në institucione apo fasada, kur nuk janë të nevojshme. Gjatë njoftimit të këtyre masave, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u shpreh se kursimi ishte i nevojshëm për të mos u përballur më vonë me kufizime dhe për të ruajtur çmimet aktuale me të cilët furnizohen qytetarët dhe biznesi i vogël.
“Errësirë” në Kaskadën e Drinit, zyrtarisht dihet vetëm niveli i Fierzës
Situata në Kaskadën e Drinit mbetet problematike dhe prodhimi është reduktuar në nivele minimale, për shkak se kushtet hidrike vijojnë të mbeten pa përmirësim. Shpresa për një fund marsi me reshje u shua, dhe nga momenti kur u deklarua se furnizimi do të kalonte kryesisht në import, “errësira” ra edhe mbi shifrat zyrtare.
Sot nga institucionet raportohet vetëm niveli i Fierzës, në 259 metra. ndërkohë detajet për Komanin dhe Vaun e Dejës mbi nivelin e hidrocentraleve dhe atë të prurjeve nuk raportohen. Të dhënat e fundit të raportuara janë ato të 11 marsit. kur Fierza ishe 273.73 metra, Komani 173.3 metra dhe Vau i Dejës 73.75 metra.
Niveli i Fierzës sot nga njohësit e fushës cilësohet si kritik, ndërkohë që vetë Korporata Elektoenergjetike Shqiptare deklaroi se niveli që ka kaskada nuk është situata reale e rezervës energjetike të vendit, pasi janë nënshkruar kontrata parablerjeje për një rezervë 218 gigavat/orë.
“KESH që nga janari, përpos prodhimit në pjesën e kaskadës, ka ushtruar edhe blerjen për të furnizuar FSHU për familjarët dhe biznesin e vogël, si dhe tensionin e mesëm ku janë 7470 biznese. Kemi 537 GWh të dhëna në janar në total, ndër të cilat 40% është import dhe 60% prodhim. Në shkurt, importi u rrit edhe me 5%, për shkak të prurjeve jo shumë të mëdha.
Në mars deri më sot janë 328 GWh, ku 274 GWh janë të prodhuara dhe 47 GWh janë të blera në treg të parregulluar. Dy javët e para të muajit mars ka pasur rritje të çmimit në bursë, për shkak të situatës Ukrainë-Rusi ku 1MWh arriti 550 euro ndaj u detyruam që pjesën më të madhe ta prodhonim.
Rezerva energjetike aktualisht është 290 gigavat në kaskadë. Duke shtuar dhe kapacitetet 228 gigavat të parablera, mund të themi se është afër rezervës 518 gigavat e konvertuar në metra, 12 metra plus. Pra sot me parablerjen kemi arritur në 271 metra në Fierzë” u shpreh administratori i KESH, Ergys Verdho, në një mbledhje të Komitetit të Energjisë.//syri/