Prill 08, 2022 13:24 Europe/Tirane
  • Zbulohet skema si funksiononte korrupsioni në doganën Morinës

Zbardhen detaje të reja lidhur me korrupsionin masiv në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës nga punonjës të policisë shqiptare dhe asaj të Kosovës.

Sipas SPAK, 32 punonjës të policisë kufitare shqiptare me funksione të ndryshme, përfshirë edhe drejtorin e kësaj drejtorie, Fran Kaçorri janë pjesë e skemës së korrupsionit duke iu marrë para qytetarëve për të kaluar kufirin.

 

Mësohet se në kabinat e policisë në kufi me urdhër të prokurorisë ishin vendosur kamera përgjimi të cilat kanë fiksuar çdo lëvizje të punonjësve të policisë.

 

Në kamera është zbuluar se në çdo minutë regjistrohej një rast ryshfeti ku vlera më e ulët që policët merrnin ishte 10 euro dhe më e madhe 100 euro.

Ndërsa fitimet ndërmjet tyre arrinin deri në 8000 euro në ditë.

Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme;

ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar;

si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas./Syri