Nisma për pastrimin e ambientit
Shqipëria vijon të jetë një vend ku mbeturinat i gjen rrugëve, në ambiente publike e përgjatë akseve nacionale. Një shkollë në Durrës ka ndërmarrë një nismë mjaft interesante në funksion të mbajtjes së ambientit pastër.
Marsida Mezja, mësuese e shkollës "Bajram Curri" në Durrës rrëfen për 'A Show' me Adi Krastën në Syri Tv se çfarë po ndodh me nismën në fshatrat dhe qytetet ku tashmë është bërë një përpjekje për pastrimin e cila ka përfunduar me sukses.
Iniciuesit kanë shfrytëzuar plastikën e riciklueshme për të ndërtuar kosha për mbeturinat.
"Ky është një projekt vullnetar, edukues, humanitar dhe qytetar, pas 4 muaj përpjekje të shkollave të Durrësit, duke mbledhur dhe ricikluar shishet e plastikës nga shtëpitë e tyre e drejt shkollës, duke bashkuar duart mes tyre. Si kurrë më parë ka ndodhur në Shqipëri ku transporti i 15 thasëve të mbushura me 700 kg plastikë, u realizua falas nga bashkia e Durrësit dhe Krujës. Ideja e projektit është bashkimi i tre shkollave të qytetit në një kompani private, shqiptare të gjelbër, për të ndërtuar një kosh plastik funksional në fshatrat ku nuk ndodhen aktualisht koshat përgjatë lumenjve Ishëm dhe Zezë. Pasi realizuam 5 koshat e parë, kemi realizuar edhe një ekskursion me nxënësit e mi të klasës së dytë, shkuam dhe i pamë ato kosha në fshatin Larushkë, të cilët duhen pastruar njëherë në 5 ditë. Për pastrimin po na ndihmon drejtoria e pastrimit të Krujës. Mbetjet tona dalin deri në bregdetin e Kroacisë fatkeqësisht. Nxisim plastrimin dhe vendosjen e koshave të munguar përgjatë lumit Ishëm", tha ajo.
Gjithashtu, nga mbetjet e riciklueshme nxënësit e shkollave në Durrës kanë krijuar edhe art siç është edhe ky mozaik i flamurit kombëtar me pemën e jetës./Syri