Prill 23, 2022 20:13 Europe/Tirane
  • Rriten rastet e problemeve me shëndetin mendor

Në dy vitet e fundit, edhe pse vëmendja është fokusuar te Covid-19, shqetësimet dhe problemet me shëndetin mendor, po hasen çdo ditë e më shumë nga stafet mjekësore.

Shkodra, është një prej qyteteve që po trajton një numër të konsiderueshëm pacientësh me probleme të shëndetit mendor, të cilët janë shtuar sa për shkak të pandemisë, aq edhe për shkak të mostrajtimit si duhet të rasteve që në momente e para të shfaqjes se simptomave.

 

Për të folur më shumë në lidhje me këtë temë ishin të ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, Gjon Preçi, mjek Neuropsikiatër dhe njëkohësisht Shef i Shërbimit të Psikiatrisë Komunitare në Shkodër dhe Aljona Jonuzi, psikologe.

 

"Në rajonin që mbulojmë ne mund t’ju them që koha e pandemisë ka krijuar një situatë të re, mjaft të renduar në shëndetin mendor dhe specifikisht me depresionin. Ne mbulojmë një rajon mjaft të gjerë dhe në disa shërbime ofrojmë diagnostifikim,  trajtime, etj, normalisht, kjo është një strukturë multi-disiplinare e krijuar prej vitesh... që kur u krijua ishte për te qenë operuese vetem në Shkodër, por për disa shërbime ne mbulojmë gjithë veriun," u shpreh Preçi.

Ndërsa, pyetur në lidhje me specifikat e spektrit që paraqesin qytetarët, Jonuzi tregoi: Nëse marim një analizë të përgjithshme, mund të themi që 70 përqind të personave që na rrethojnë janë të prekur nga gjendja e ankthit. Ka persona që kalojnë dhe në çrregullime më të mëdha si ataket e panikut.

Ankthi ka egzisuar gjithmonë, nuk është për tu trembur, thjeshtë tani është vënë më shumë në dukje sepse ne po i japim më shumë rëndësi shëndetit mendor.

Preçi, tregoi ndër të tjera se rastet janë rritur dhe shkojnë deri në 10000 në vit:

"Në psikiatri stigma është e përhapur dhe vështirësia për të kërkuar ndihmë është shumë e madhe. Gjithsesi ndërtimi i strukturave ka krijuar mjaft lehtësim tek njerëzit.

Arrijnë rreth 1000 raste ndërhyrjeje në muaj dhe kemi mbi 10, 000 rastë në vit, në të gjitha tipet e ndërhyrjeve që mbulojmë."

"Ajo çfarë është përhapur shumë kohët e fundit janë këto 'mentorët e rrjetve e sociale' dhe njerëzit  e kanë më të thjeshtë të drejtohen aty.

Pastaj zhgënjehen aty dhe kthjellohen se duhet një mendim i një specialisti, por kemi dhe persona që e kanë menaxhuar stresin dhe ankthin shumë mirë, me meditime, dalje, joga, duke folur me të afërmit etj", tregoi Jonuzi.

Preçi: Normalisht është një situatë shumë akute dhe shqetësuese për individin dhe ndihma e parë që kërkohet është në repartet e urgjencës, dhe aty shumica janë me probleme me ankthin, ata aty keq-adresohen por nuk është vendi i duhur. Njerëzit përfundojnë disa herë në javë në urgjencë, pa marrë një trajtim për problemin që kanë, kjo rrit kostot por edhe humb kohën e tyre duke agravuar në shëndet./Syri