“Më vinte erë e keqe nga dollapi”
KORÇË- Një ngjarje e makabër u regjistrua mëngjesin e sotëm në lagjen 15 në Korçë. Nëna 40-vjeçare pasi lindi fëmijën, e futi për një muaj në një valixhe në dollap.
Teksa Gazeta Shqiptare raportoi gjithë dinamikën e ngjarjes, duke sjellë dëshmi të ndryshme për të mësuar detaje të reja lidhur me krimin në familje, mësoi se foshnjën e kishte gjetur bashkëshorti në dollap.
“Nuk e dija nëse fëmija është i imi, besoj se jo!”- kështu u shpreh fillimisht, Klodian Hasimllari bashkëshorti i nënës vrasëse në Korçë. Në raportimin paraprak për mediat, Hasimllari nuk preferoi të zgjatej, ai u pyet nga gazetarët teksa mbante derën e shtëpisë gjysmë të mbyllur.
Ndërkohë, pak orë nga deklarata e tij, Klodian Hasimllari, rrëfeu rrethanat tronditëse dhe horrorin që gjeti në dollapin e dhomës së tij të gjumit.
“Më duket se pashë një foshnjë në valixhe në shtëpi. Më vinte erë e keqe nga dhoma e gjumit, shkova kontrollova në dollapin e rrobave dhe pashë në valixhe një fëmijë. Unë kam më tepër se 1 vit që shkoj e vij nga Greqia sepse mundohem të mbaj familjen me bukë. Isha në Korçë para 5 muajsh, prandaj s’jam i sigurt nëse foshnja është e imja apo jo. Kisha 5 muaj pa ardhur në Korçë. Pyesja gruan po ajo më fliste në vetën e tretë duke përmendur emrin e saj pa e ditur që po fliste për veten. Thoshte që “M…” (emri shkurt i 40-vjeçares) ka lindur fëmijë dhe e ka futur në valixhe. Jam shumë i tronditur nga ajo që pashë.”
I tronditur nga skena horror, Klodian Hasimllari kishte kohë që dyshonte, pasi prej kohësh ndjente një erë të rëndë në banesë, por vetëm ditën e djeshme kishte arritur të gjente foshnjën e futur në valixhe.
Nga dëshmitë e fqinjëve, por dhe të së ëmës së nënës së foshnjës, Gazeta Shqiptare raportoi se, autorja ishte me probleme të shëndetit mendor.
Disa prej tyre madje nuk e dinin se kjo e fundit ishte shtatzënë, përfshirë këtu edhe të ëmën e 40-vjeçares e cila dha një deklaratë disi të dyzuar për gazetarët.
Ajo fillimisht mohoi se kishte dijeni për shtatzëninë e së bijës më pas e moshuara deklaroi se e kishte shtruar në spital dhe se i shoqi e kishte vizituar.
Çifti që tronditi mbarë opinionin publik ishin prindër të një djali 15-vjeçar i cili vuante nga autizmi.
Klodian Hasimllari, punonte në Greqi për të siguruar të ardhurat dhe vinte në Shqipëri me sezone për të vizituar, por kësaj here, ai u bë dëshmitar i një krimi makabër në familjen e tij./gazetashqiptare/