May 02, 2022 14:53 Europe/Tirane
  • PS ka thirrur Konferencën e Kryetarëve

Afrimi i datës së mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve nga ana e Partisë Socialiste duket se do të sjellë përsëri kakofoni në radhët e opozitës.

Partia Socialiste me anë të përfaqësuesit të saj Taulant Balla eshtë shprehur se nuk do të ketë diskutime me Sali Berishën apo dhe ‘Grupin e Rithemelimit’.

Ndërkohë Kuvendi ka nisur procedurat dhe përmbyllur zgjedhjen e Presidentit të vendit para afatit përfundimtar prej 60 ditësh, që sanksionohet në Kushtetutë.

Socialistët thonë se po respektojnë këtë traditë me nisjen e procedurave për pasuesin e Ilir Metës, ndërsa nga Partia Demokratike, Enkelejd Alibeaj e ka interpretuar ngutje të mazhorancës për ta kapur edhe këtë institucion.

Por edhe pse PS ka thirrur për më 4 maj konferencën e kryetarëve për këtë çështje, problemi është se kush do ta përfaqësojë opozitën në këtë konferencë, duke qenë se në Kuvendin e së shtunës Enkelejd Alibeaj u shkarkua nga posti i kryetarit të grupit parlamentar.

Nga ana e tij Alibeaj nuk e njeh Kuvendin e Berishës duke e lënë opozitën pa një përfaqeëssim zyrtar.

Të gjitha zhvillimet në kampin e opozitës e lënë praktikisht të vetme mazhorancën, pa një palë përballë që të diskutojë për emrin e ri të Presidentin, edhe nëse ofertën për një emër konsensual e ka të sinqertë.

Sipas Kushtetutës, shtatë ditë pas kësaj konference duhet të mbahet votimi i parë në Kuvend për Presidentin e ri.

Kjo do të thotë se pas 4 Majit mund të kemi të paktën një emër publik për pasuesin e Ilir Metës në Presidencë dhe më 10 maj të mbahet votimi i parë nga pesë të tilla që parashikon Kushtetuta. Sipas Kushtetutës, në tre raundet e para kërkohet shumica prej 84 votash në Kuvend, ndërsa në dy raundet e fundit mjafton edhe shumica e thjeshtë prej 71 votash.

Shumicën e cilësuar PS e vetme nuk e ka, por ka shumicën e thjeshtë për të vendosur për Presidentin e ri.

Përcaktimet për zgjedhjen e Presidentit të Republikës

Në Kushtetutë thuhet se Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin e popullit, por mënyra e zgjedhjes i jep mundësinë partisë në pushtet që të zgjedh një kandidat të saj, pasi procesi nis raundin e 1-rë të votimit që kërkon 94 vota dhe në raundin e 4-ët mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë ose 71 vota.

Kujtojmë se afati kushtetues për nisjen e këtyre procedurave është jo më vonë se 60 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që i bie data 24 maj. Por, socialistët duke ndjekur dhe praktikën e mëparshme kur presidenti është zgjedhur më herët se sa afatet fundore, kërkojnë që deri në fund të majit të kenë zgjedhur presidentin e ri.

Me disa procedura formale dhe krejt të reja, Partia Socialiste ka kërkuar konsultim me shoqërinë civile dhe publikun për emrin e Presidentit.

Sipas ekspertëve ligjor, nisja e procedurave në këtë moment nuk është e parakohshme dhe në çdo rast mandati i presidentit të ri nuk nis deri më 24 korrik, kur parashikohet ligjërisht të jetë dhe dita e betimit në Kuvend.

Raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit

Partia Socialiste i ka kërkuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri të mbahet më 10 maj.

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla në një konferencë para gazetarëve të para disa ditëve tha se nga data 29 prill do të zhvillohen negociata për një ‘president konsensual’.

“Tre raundet e para kërkojnë konsultime për gjetjen e një presidenti konsensual”, tha ai duke iu referuar Kushtetutës që përcakton zgjedhjen e kreut të shtetit me 3/4 e votave në Parlament”.

Aktualisht Partia Socialiste ka 74 deputetë që nuk mjaftojnë për zgjedhjen e Presidentit në 3 raundet e para.

Në mbi 30 vite demokraci, Shqipëria ka zgjedhur deri tani vetëm në një rast President konsensual.

Në 2002, me marrëveshje PS-PD, Kuvendi i Shqipërisë votoi për president Alfred Moisiun.

Socialistët gjatë 10 ditëve konsultime, kanë përfshirë në bisedime grupin e deputetëve të PS, grupet parlamentare të opozitës, shoqërinë civile si dhe qytetarët.

Balla është shprehur do të paraqiten propozimet e para me emra konkretë nga anëtarët e grupit të PS.

Ai tha se në një zarf do të shkruhen 3 emra dhe më pas këto propozime do të vlerësohen.

Publiku tha kreu i grupit të PS, mund të bëhet pjesë e konsultimeve duke dërguar emra në emalin zyrtar të grupit të PS.

Kushtetuta përcakton se President mund të zgjidhet çdo person 40 vjeç dhe të jetë rezident në Shqipëri në 10 vitet e fundit.

Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.

Zgjedhja e Presidentit bëhet nga Parlamenti me 5 raunde votimi. Në 3 raundet e para kërkohet shumicë e cilësuar (84 vota), kurse në dy raundet e fundit nevojitet shumicë e thjesht (71 vota)../gazetashqiptare/