May 04, 2022 19:56 Europe/Tirane
  • Koncesionari i dializës u pagua 115 milionë lekë, kur qendrat as ekzistonin

Shoqëria koncesionare e ofrimit të shërbimit të dializës në disa rajone të vendit ka përfituar më shumë se 115 milionë lekë pagesa për shërbime të pakryera.

Auditimi i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka evidentuar se shoqëria koncesionare ka arritur të përfitojë pagesa për shërbimin e dializës në dy rajone të vendit, për periudha kur shërbimi në rajonet në fjalë nuk ka ekzistuar.

Përfitimi i pagesës është mundësuar falë një vendimi të formës së prerë të marrë nga Gjykata Administrative e Apelit.

Mosmarrëveshja midis FSDKSH dhe koncesionarit lidhet me datën e fillimit të pagesës për qendrat e dializës në rajonet Korçës dhe Elbasanit, ku Fondi ka zbatuar si datë të fillimit të pagesës, datat e njoftuara zyrtarisht nga MSHMS, për fillimin e aktivitetit në secilën prej qendrave, përkatësisht për Rajonin e Elbasanit më datë 27.03.2017 dhe për Rajonin e Korçës më datë 21.04.2017.

Koncesionari ka pretenduar që pagesat duhet të fillojnë që nga data 1 nëntor 2016 (sipas kontratës së koncesionit), pavarësisht se shërbimi nuk ka ekzistuar: pra, për periudhën 01.11.2016-27.03.2017 për Rajonin e Elbasanit dhe 01.11.2016 -21.04.2017 për rajonin e Korçës.

Shoqëria koncesionare e ka argumentuar kërkesën e saj saj me faktin se vonesat në vënien në funksionim të qendrave të dializës për rajonet Korçë dhe Elbasan janë lidhur me zvarritjen në zbardhjen e lejeve të ndërtimit dhe duke pretenduar përgjegjësinë për këto vonesa në kahun e autoritetit kontraktor.

FSDKSH pretendon se nuk ka pasur dijeni për ekzistencën e vendimit gjyqësor dhe nuk ka marrë pjesë në zhvillimin e çështjes gjyqësore të zhvilluar në shkallën e parë dhe në apelit dhe se ka marrë dijeni vetëm kur pala tjetër ka nisur aplikimin e proceduirave të ekzekutimit të detyrueshëm.

KLSH argumenton se faturat e lëshuara nga koncesionari që përbëjnë objekt të vendimit gjyqësor nuk përfshijnë dhënie shërbimi, duke qenë se qendrat e ofrimit të shërbimit të dializës në E dhe K nuk kanë qenë funksionale përgjatë periudhës së faturimit. Mungesa e dhënies së shërbimit konstatohet edhe nga korrespondenca zyrtare mes palëve, kur vetë koncesionari njofton nisjen e ofrimit të shërbimit vetëm në vitin 2017.

KLSH citon nenin 3.8.1 të kontratës së koncesionit, ku thuhet se “…Për të hequr çdo dyshim, data e fillimit të koncesionit do të fillojë vetëm në momentin kur qendra e fundit shëndetësore do të fillojë dhënien e shërbimit, pavarësisht faktik që shërbimi mund të ketë filluar në qendrat e tjera përpara kësaj datë….”.

Faturat tatimore objekt gjykimi nuk janë pranuar nga Drejtoritë Rajonale të Fonditt dhe nuk janë të firmosura, ndërsa Koncesionari ka faturuar FSDKSH, megjithëse me anë të shkresave përkatëse të sipërcituara ka pohuar që nuk ka qenë në gjendje të ofrojë shërbim në rajonet dhe sipas periudhave përkatëse, pasi nuk ka pasur as mjetet dhe as ambientet për ofrimin e shërbimit.

Shërbimi i dializës, gjatë kohës që koncesionari ka faturuar, është ofruar nga spitalet publike me fonde buxhetore të akorduara për to dhe pagesa e këtyre faturave ka sjellë përdorim të dyfishtë të fondeve buxhetore për të njëjtët pacientë, ku në rastin e fondeve të faturuara nga koncesionari, shërbimi nuk është dhënë fare.

Nga auditimi konstatohet se nuk janë ezauruar hapat për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me mirëkuptim sipas kontratës koncesionare të dializës dhe në të njëjtën kohë nuk janë kundërshtuar faturat e paraqitura nga koncesionari në gjykatat kompetente në kohën e faturimit.

Nga auditimi konstatohet se si autoriteti kontraktor, Ministria e Shëndetësisë dhe autoriteti financues i kontratës (FSDKSH) kanë qenë në dijeni të problematikës së krijuar dhe nuk janë marrë masat e duhura për adresimin në kohë të tyre si dhe duke mos reaguar në formën e përcaktuar në kontratën koncesionare dhe të financimit.

Përsa më sipër, KLSH konstaton se janë marrë fonde buxhetore për shërbim të pakryer dhe referuar pikës 10.1 të kontratës së financimit ku është cituar që “Përbëjnë dëm ekonomik për Fondin rastet kur pasi është bërë pagesa ndaj koncesionarit vërtetohet se shërbimet e pretenduara nuk janë kryer. Në këto raste koncesionari do të paguajë vlerën e plotë të dëmit të konstatuar. Kthimi i vlerës së dëmit bëhet në mënyrë të menjëhershme nga vetë koncesionari ose i zbritet nga pagesat pasardhëse deri në plotësimin e shumës.”

Mbështetur në dispozitën e mësipërme, KLSH vlerëson se nga ana e FSDKSH duhet të ishin marrë masa për rikuperimin e shumës që koncesionari ka përfituar për shërbime që nuk i ka ofruar.

Shërbimi i Dializës u dha me koncesion në fillim të vitit 2016, për 10 vjet. Fituesi ishte DiaVita me vlerë 8.6 miliardë lekë. Sipas kontratës me qeverinë DiaVita do të ofronte shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan. Në qershor 2019, koncesioni i hemodilaizës u shit nga kompania Dia Vita tek Diaverum International AB. Ky transaksion nuk u miratua në atë kohë nga Autoriteti i Konkurrencës.

Në vendimin e bërë publik nga ana e Autoritetit të Konkurrencës në atë kohë nënvizohej se arsyeja se pse nuk është dhënë autorizimi për realizmin e përqendrimit është mosplotësimi i kushteve që kërkon ligji. Sipas Konkurrencës ligji sanksionon dy kritere ku i pari përfitimi i kontrollit dhe i dyti xhiroja që duhet të ketë në vitin paraardhës financiar. Të dyja këto duhet të ekzistojnë njëkohësisht, janë kumulative. Kushti i dytë që lidhet me xhirron nuk plotësohet nga ana e kompanisë blerëse pasi në vitin 2018 xhiroja e saj ishte zero./MONITOR