Siguria në shkolla, takim sensibilizues në Fushë Krujë
Një tjetër aktivitet sensibilizues, me fokus ndalimin e fenomeneve negative në shkolla dhe rritjen e parametrave të sigurisë në shkolla, është zhvilluar në qendër të qytetit Fushë Krujë.
Në aktivitetin e organizuar nga fondacioni ‘ADRA Albania’, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë në shkolla dhe me Policinë e Shtetit, morën pjesë drejtuesit e shkollave, mësues, psikologë, qeveritë e nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Fushë Krujës, Bubqit, Borizanës, Luzit, Thumanës e Bushneshit, Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe QDNJD (Qendra e të Drejtave të Njeriut në Demokraci’.)
Siguria në shkolla, mbrojtja nga abuzimi seksual, nga krimet kribernetike, fenomenet negative si droga, duhani e alkooli, si dhe nga bullizimi, ishin në qendër të diskutimeve që u zhvilluan nga nxënësit dhe pjesëmarrësit në këtë aktivitet.
Përfaqësuesit e Policisë i kanë inkurajuar nxënësit që të mos anashkalojnë asnjë problematikë, sado të vogël në dukje, por të ngrenë zërin, të reagojnë me veprime konkrete, duke bashkëpunuar me oficerët e sigurisë, me drejtuesit e shkollave dhe me punonjësit e Policisë që mbulojnë këto shkolla. Siguria në shkolla është përgjegjësi morale e të gjithëve, përgjegjësi ligjore e institucioneve dhe aktorëve që i ngarkon ligji për të garantuar sigurinë në shkolla.
Punonjësit e Policisë së Shtetit i kanë siguruar nxënësit, prindërit dhe stafet pedagogjike se ata janë tërësisht të angazhuar për të parandaluar dhe për të luftuar fenomenet negative, si dhe për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe zhvillimin e një procesi mësimor sa më të qetë. Por kjo nuk mund të arrihet ashtu siç duhet, pa ndihmën dhe kontributin e nxënësve, oficerëve të sigurisë, stafeve pedagogjike, qeverisë së nxënësve dhe komuniteteve në të cilat janë vendosur shkollat 9-vjeçare e të mesme.
Oficerja e sigurisë në shkollën e Bubqit theksoi se duhet të jemi vigjilentë në identifikimin e problemeve që në zanafillë, për të mos lejuar që ato të ulen kembëkryq në shkollat tona, për të infektuar rininë, të ardhmen e vendit.
Përfaqësuesja e fondacionit ‘ADRA Albania’ apeloi për më shumë angazhim nga të gjithë faktorët dhe aktorët që kanë përgjegjësi për sigurinë në shkolla, për të mos heshtur kur është momenti të flasim dhe për të reaguar të gjithë bashkë, duke bërë pjesë edhe qeverinë e nxënësve.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi, në të cilin u bashkuan edhe kalimtarë të rastit, përfaqësuesit e qeverive të nxënësve të shkollave pjesëmarrëse përcollën mesazhe ndërgjegjësuese dhe theksuan domosdoshmërinë e reagimit dhe të kontributit të gjithësecilit, për t’u ardhur në ndihmë bashkëmoshatarëve në nevojë, në mënyrë që të mos i lëmë të vijojnë rrugëve të errëta që të çojnë drejt greminës, por të ecin në rrugën e dijes, në rrugën e sigurtë drejt së ardhmes./Syri