May 12, 2022 12:54 Europe/Tirane
  • Dita botërore e infermierëve, vitet e fundit mijëra të larguar nga Shqipëria

Në ditën botërore të Infermierit, shumë të rinj që ndjekin studimet në këtë degë, kërkojnë të largohen jashtë vendit. Brenda pak viteve nga Shqipëria janë larguar mbi 4 mijë infermier, për shkak të kushteve të punës dhe rrogave të larta në vendet e bashkimit Europian. Ndërkohë, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaron se në Shqipëri janë 2 mijë infermier që presin të punësohen.

Gjatë viteve të fundit, nga Shqipëria llogaritet se janë larguar më shumë se 4 mijë infermierë, duke shkaktuar jo pak kosto në shërbimin shëndetësor në vend. Por “hemorragjia” e infermierëve dhe mjekëve duket se do të vijojë, pasi këtë 12 maj, në ditën botërore të infermierëve, të rinj që aktualisht ndjekin shkollën për këtë profesion kanë vendosur të largohen nga vendi.

 

Studentët të degëve të infermierisë dhe mamisë në Universitetin e Korçës, u shprehën për Syri Televizion, se kanë menduar që tani për të ardhmen jashtë vendit, pavarësisht se dëshira për të qëndruar këtu nuk mungon. Por paga dhe kushtet e punës, janë ato që i joshin për tu larguar.

Por teksa të rinjtë synojnë të largohen nga vendi, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, shprehet se aktualisht janë mbi 2 mijë infermier që presin të punësohen nëpërmjet portalit.

Teksa deklaroi se në të ardhmen do të shtohen kuotat për degët e infermierisë, Ministrja Manastirliu, mbrojti autonominë spitale, duke deklaruar se kështu mjekët dhe infermierët do të paguhen sipas meritës.

Këto deklarata, Manastirliu i bëri gjatë një aktiviteti të organizuar nga “Urdhri i Infermierëve” në kuadër të ditës botërore të infermierit./Syri