Autobusi që u rrëzua mbi Lanë merret nga Prokuroria për hetime
May 14, 2022 09:17 Europe/Tirane
Prokuroria e Tiranës ka marrë autobusin e Unazës, që pas një aksidenti mbrëmjen e 29 prillit, ra me gjithë pasagjerët mbi Lanë, duke zënë nën vete edhe një makinë me dy pasagjerë me të cilët qe përplasur më herët.
Bashkia e Tiranës kishte kërkuar që këtë autobus që fati e mbajti pezull mbi Lanë ta shndërronte në një vepër artistike, por është detyruar t’ia japë përkohësisht drejtësisë që të bëjë hetimet.
Lajmin e ka dhënë në Fb, kryebashkiaku Erion Veliaj: “Me kërkesë të prokurorisë që po heton aksidentin unik, kërkohet spostimi i mjetit për të bërë ekspertizën autoteknike në garazh, terren, - shkroi Veliaj. - Mjeti u spostua mbrëmë! Do të rikthehet në përfundim të hetimeve po aty si instalacion për kujdesin në qarkullim./Syri