May 14, 2022 10:24 Europe/Tirane
  • Koncesionari i Tiranës merr 400 mln € për një incenerator në Zimbabve

‘Geo Genix’ BV, kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës ka arritur që të fitojë kontratën për ndërtimin e një inceneratori në shtetin afrikan Zimbabve.

Mediat afrikane i kanë bërë jehonë nënshkrimit të kontratës më 28 prill nga nëpunësi i kryeqytetit Harare, Mabhena Moyo dhe përfaqësuesit të kompanisë koncesionare Dilesh Nguwaya.

 

Kompania ‘Geo Pomona Waste Management’, degë e shoqërisë holandeze ‘Geo Genix BV’ ka nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e impiantit me vlerë 304 milionë euro, nga ku do të prodhohen 22 megavat energji elektrike në orë.

Inceneratori do të ketë një kapacitet përpunimi prej 1 mijë ton mbetje në ditë, dhe shteti i Zimbabve do t’i paguajë koncesionarit 39 euro për ton.

Koncesionari do të marrë në total 400 milionë euro nga kjo kontratë e shtrirë në 30 vjet.

Kompania ‘Geo Genix’ është firma mëmë e koncesionarit të inceneratorit të Tiranës, dhe sipas dokumenteve rezulton e lidhur me pronarët dhe administratorët e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit.

Edhe pse është shtrirë me plane investimi në kontinente të tjera, kompania gjendet në shkelje të kontratës për ndërtimin e 4 impianteve të djegies së mbetjeve në Tiranë, ku asnjë prej tyre nuk është instaluar, dhe po ashtu as inceneratori i Fierit nuk punon./Syri