May 17, 2022 10:05 Europe/Tirane
  • Kapen 56 kg kokainë në anijen me qymyr në Durrës

Një tjetër ngarkesë me kokainë është kapur sot në Portin e Durrësit. 56 kg kokainë e ndarë në dy çanta ishte fshehur në një ngarkesë me qymyr që vinte nga Kolumbia. Konstatimi i drogës u bë nga vinçieri i portit që po shkarkonte ngarkesën, e cila kap vlerën 2 milionë euro.

Mëngjesin e kësaj të marte, u sekuestruan 56 kg kokainë në Portin e Durrësit, e cila ishte fshehur në një anije të ngarkuar me qymyr. Anija ishte nisur nga Kolumbia në datën 26 prill, teksa ka mbërritur në portin e Durrësit pasditen e djeshme.

 

Pasi ka nisur shkarkimi i lëndës djegëse, Njësia Speciale Antidrogë ka konstatuar brenda qymyrit në hambarin e anijes, dy çanta brenda të cilave ishte fshehur lënda narkotike. Policia ka sekuestroi drogën, ndërsa pas peshimit ka rezultuar se pesha e saj është 56 kg.

Grupi hetimor dyshon se brenda sasisë prej 6500 tonë qymyr mund të ketë sasi të tjera kokaine të fshehur, ndaj ende nuk ka një komunikatë zyrtare. Do të pritet shkarkimi i anijes për të parë nëse do të ketë ende lëndë narkotike të fshehur në të.

Ndërkohë, duket se trafikantët e drogës po shohin mënyra të tjera të transportit të drogës, duke shmangur kontenierët. Anija ‘Unistream’, është me flamur të Antigua Barbuda nga Ishujt Karaibe, ndërsa kapiteni i saj është një shtetas nga Rusia.

Deri më tani, nuk është ndaluar asnjë person në lidhje me drogën e sekuestruar. Porti i Durrësit duket si rrugë kyçe e trafikut ndërkombëtar të kokainës nga vendet e Amerikës Latine, për t`u shpërndarë më pas në Europë.

Një muaj më parë, u gjet 1 kg kokainë, e fshehur në një kamion. Ndërkohë, gjatë dy viteve të fundit, në Portin e Durrësit janë sekuestruar mbi 1 mijë kg kokainë. Vitin e kaluar, u regjistruan disa raste të sekuestrimit të kokainës, me ngarkesa që shkonin deri në 200 kg, të fshehura në kontenierët e bananeve.

Në tre vitet e fundit, sasia e kokainës së kapur në Durrës shkon në 1.5 tonë, teksa vlera e saj në treg nëse do të shitej, shkon në rreth gjysmë miliardi euro./Syri