May 29, 2022 14:02 Europe/Tirane
  • Stallat e kafshëve ndotin kolektorin e Darzezës!

Stallat e kafshëve në Povelçë e Darzezë, kanë shkaktuar një ndotje të lartë të kolektorit te Levanit. Kjo është kthyer në një shqetësim për fermerët të cilët nuk vadisin dot tokat, ndërsa në prag të sezonin turistik kjo ndotje po shkakton edhe largimin e turistëve.

Fermerët në Povelçë e Darzezë, nuk mund të vadisin tokat, madje disa prej tyre i kanë lënë djerrë. Shkaku është ndotja e lartë e kolektorit të Levanit nga ku ata marrin ujin për të vaditur të mbjellat si dhe kolektorët e tjerë që kanë ujin e kripur. 

 

Mos vaditja e tokave po i çon ata drejt falimentimit, pasi sipas tyre, uji ka përqindje të lartë të mbetjeve organike nga stalla të kafshëve, që ka prani klori që përdoret për pastrimin e tyre. Banorët shprehen se janë bizneset që merren me rritjen e derrave, shkaktarët kryesorë të ndotjes.

Rritja e temperaturave javët e fundit dhe mungesa e reshjeve e bën edhe me toksik ujin që përdoret nga kolektori i Levanit edhe nga bagëtitë që kanë kullotat përgjatë kolektorit, duke ia bërë më të vështirë punën fermerëve të kësaj zone.

Ata thonë se bagëtia po thahet për pikën e ujit, teksa uji në kanale është i ndotur.

Kanalet e Darzezës kanë pasur peshkatarë të shumtë çdo ditë, por tashmë që kanali është ndotur sasia e peshkut po zhduket dhe ata janë shumtë të pakët.

Shqetësues për banorët është edhe fakti se uji i ndotur që ndodhet në këta kolektorë, tërhiqet nga hidrovori i Darzezës dhe derdhet në det duke ndotur kështu bregdetin që këto dite pret dhe plazhistët e parë.

Kur presim një sezon turistik të mbarë pas një periudhe të gjatë pandemie, problem për banorët e Darzezës, është ndotja e kolektorit kryesor që shkakton edhe mungesën e pushuesve, pa llogaritur këtu edhe dëmet ekologjike./Syri