Bashkia e Fierit hap sezonin turistik vetëm në gjysmën e plazhit të Semanit
Një përfaqësi e 25 bizneseve në plazhin e Semanit, protestuan para bashkisë së Fierit, për shkak se në zonën ku ata operojnë, nuk është lejuar hapja e sezonit turistik. Bizneset kërkojnë që edhe në plazhin tradicional të Semanit të lejohen pushuesit, ndërsa kreu i bashkisë Fier, Armando Subashi njoftoi pak ditë më parë se në këtë zonë ka erozion.
Pak ditë më parë, bashkia e Fierit hapi sezonin turistik në Seman, por vetëm në një pjesë e këtij plazhi ka nisur puna me turistët.
Ne pjesën tjetër të plazhit, apo siç njihet ndryshe plazhi tradicional i Semanit, sezoni nuk është hapur, duke penalizuar 25 biznese që ushtrojnë aktivitetin në këtë zonë.
Këtë të mërkurë, një përfaqësi e 25 bizneseve, protestuan duke kërkuar takim me kryebashkiakun e Fierit, Armando Subashi, për t`i kërkuar informacion në lidhje me mos hapjen e sezonit turistik në të gjithë vijën bregdetare.
Operatorët tursitik nuk u pritën në takim nga Subashi, por nga nënkryetarja e bashkisë, e cila u është shprehur se do të informojë struktuart përkatëse për situatën. Ndërkohë, ditën e hapjes së sezonit turistik, Armando Subashi është shprehur se një pjesë e plazhit nuk është funksionale për shkak të erozionit.
Por ky version i kryebashkiakut, hidhet poshtë nga bizneset.
Bizneset janë shprehur se do të përshkallëzojnë veprimet e tyre nëse nuk do të gjendet zgjidhje./Syri