Qershor 03, 2022 08:39 Europe/Tirane
  •  Rama: Shtetet që shkelin të drejtat ndërkombëtare të vendosen para drejtësisë

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalimin tradicional në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), pak para se Shqipëria të marrë Presidencën e Këshillit të Sigurimit dhe të zhvillohet mbledhja e parë.

Rama është shprehur se në ndër çështjet e para që do të sjellë në diskutim, janë rritja e llogaridhënies ndërkombëtare, vënia para përgjegjësisë dhe drejtësisë e shteteve që shkelin të drejtat ndërkombëtare dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut. “Objektivat e sotme në debat janë të trefishta. Së pari të rritet roli i bashkësisë ndërkombëtare për të vënë para përgjegjësisë shtetet dhe ato që veprojnë për llogari të tyre, për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare. Së dyti, të forcohen mekanizmat e llogaridhënies jo vetëm në nivel shtetëror por edhe rajonal e ndërkombëtar. Së treti, ta orientojmë vëmendjen te viktimat. Të përcaktojmë të vërtetën për krimet ndërkombëtare dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, tha Rama gjatë fjalës së tij. Rama nënvizoi se lufta në Ukrainë po paraqet sfida dhe kërcënime të shumëfishta për të gjithë botën. Sipas tij, lufta ka përforcuar nevojën për një kërkesë më të madhe llogaridhënie./parstoday/