Qershor 03, 2022 08:48 Europe/Tirane
  • Thumanë-Kashar, (21 km)

Një plan të ardhurash bazë për gjithë periudhën e koncesionit të rrugës Thumanë -Vorë-Kashar parashikon mbi 1.3 miliardë euro (pa TVSH) dhe 1.56 miliardë euro me TVSH, që do të shkojnë për përfituesit e kontratës tashmë të bërë publike. Kontrata e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive Gener 2 sh.p.k dhe G2 Infra sh.p.k ka ndryshuar dhe parashikon një koncesion 35 vjeçar, ku dy vitet e para do të jetë ndërtim i këtij aksi dhe pjesa tjetër operim dhe mirëmbajtje.

Forma e koncesionit do të jetë e formës DBFOM që parashikon projektimin, ndërtimin, financimin, operimin, mirëmbajtjen dhe më pas transferimin tek shteti. Kjo do të thotë se burimet financiare për ndërtimin e rrugës do të sigurohen nga koncesioni dhe ky i fundit do të marrë në kthim të ardhurat nga tarifat që do të vendosen për kalimin në rrugë përgjatë gjithë periudhës së koncesionit.

Specifikimin e financimit kontrata e ka në kreun 2 të nenit 9 ku thuhet se shoqëria konceisonare ndër të tjera ka detyrim që të sigurojë financimin për zbatimin e Projekt-zbatimit. Për të siguruar këtë financim koncesionari mund të vendosë si garanci të drejtat që i jep kjo kontratë.

Garantimi i të ardhurave për 8 vite

Një element tjetër i kontratës është ai lidhur me garantimin e të ardhurave bazë që do të vijnë nga operimi i rrugës. Shteti merr përsipër që në 8 vitet e para të nisjes së operimit nëse nuk arrihet plani bazë të ofrojë mbështetje. Kështu në vitin e parë plani bazë i të ardhurave për operim dhe mirëmbajtje është 26.85 milionë euro ndërkohë që shteti do të garantojë 8 milionë euro, në vitin e dytë që përkon me vitin 2025 plani bazë i të ardhurave është 25.58 milionë euro dhe garancia e shtetit ulet në 5.6 milionë euro. Në vitin e tretë të operimit plani i të ardhurave është 25.10 ndërkohë që nëse nuk arrihet ky plan garancia e shtetit është për 3.92 milionë euro. Vit pas viti plani i të ardhurave ndryshon duke kulmuar në 63.15 milionë euro në vitin 2055 teksa mbështetja e shtetit ndalet në vitin 2031 kur garancia e parashikuar është 360 mijë euro.

Kontrata parashikon që tarifa që do të vendoset në rrugë do të jetë e pavarur edhe pse ajo do të duhet të marrë miratimin edhe të autoritetit kontraktor. Përllogaritja e saj do të ketë në bazë një formulë që merr parasysh disa tregues që lidhen me koeficientin e llojit të mjetit si dhe disa aspekte të tjera. Tarifa edhe pse do të përllogaritet çdo vit ajo do të ndryshojë dhe rrumbullakoset një herë në katër vjet.

Historia e rrugës

Aksi Thumanë-Kashar ishte pjesë e projektit “one billion” dhe iu nënshtrua procedurave të prokurimit pas një oferte të pa kërkuar të bërë nga Gener 2 e cila në fund rezultoi edhe si kompania fituese. Në korrik të vitit 2018 Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë njoftoi se Gener 2 kishte fituar procedurën me një ofertë 225.8 milionë euro. Në procedurë morën pjesë katër kompani. Qeveria u tërhoq nga projekti në vitin 2019 duke deklaruar se këto para të dedikuara për projektin do t’i dedikoheshin angazhimit tjetër të qeverisë për “Paktin me Universitetin”. Gjithsesi Balluku tha se nga projekti i rrugës nuk do të hiqet dorë pasi është një aks i rëndësishëm kombëtar. Më pas situate përfundoi në gjykatë e cila kjo e fundit i dha të drejtë kompanive private dhe duket se palët u kthyen në tryezë duke dalë në këtë produkt final ku rruga do të ndërtohet nga vetë kompania dhe kjo e fundit do të mbledhë tarifën.

Rruga, sipas projektit, parashikohet të jetë 20.8 kilometra e gjatë dhe e kategorisë “A”. Gjurma e saj nis nga Thumana, 150 metra në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë–Krujës.

Vijon me një djathtas dhe vazhdon e drejtë në fusha deri në afërsi të Fushë-Krujës. Më pas, me anë të një kthese të dyfishtë i afrohet Aeroportit të Rinasit.

Gjurma e rrugës vazhdon në krahë të djathtë të rrugës automobilistike të Rinasit, deri në lidhjen e saj me Autostradën Tiranë-Durrës në Kashar (rreth km të 12 në drejtimin Tiranë – Durrës).

Shpejtësia e projektuar për këtë rrugë është 140 kilometra/orë, ndërkohë që pjesë përbërëse e saj janë 14 nënkalime, 12 ura me gjatësi totale 4 kilometra, 3 mbikalime korsi emergjencash në secilën anë me nga 3 metra. Gjerësia totale e rrugës parashikohet 28 metra./gazetashqiptare/