Qershor 14, 2022 11:35 Europe/Tirane
  • Bllokohen gjykatat, nuk zhvillohen 600 gjyqe

Nisi sot greva katërditore e avokatëve në vend, të cilët kundërshtojnë hartën e re gjyqësore të propozuar nga KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë. Më shumë se 600 seanca gjyqësore nuk u zhvilluan këtë të martë, ndërsa me mijëra procese pritet të dështojnë në ditët në vijim për shkak të grevës.

Avokatët e cilësojnë hartën e re gjyqësore si anti-kushtetuese, pasi largon drejtësinë nga qytetarët. Ata thonë se me hartën e re gjyqësore, qeveria po kap sistemin, ndërsa shtojnë se kjo nismë konfirmon dështimin e reformës në drejtësi

 

Më shumë se 600 seanca gjyqësore të parashikuara për t`u zhvilluar këtë të martë në të gjitha hallkat e sistemit të Drejtësisë, nuk u mbajtën. Avokatët në të gjithë vendin nisën grevën katër ditore, duke futur në kolaps të gjitha gjykatat në vend.

 

Dhoma e Avokatisë, me të gjitha degët e saj në rrethe, kundërshton miratimin e hartës së re gjyqësore nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që parashikon përgjysmimin e numrit të gjykatave në vend, ku nga 22 rrethe gjyqësore parashikohen të mbeten vetëm 13 të tillë.

Kreu i dhomës së avokatisë Korçë, Arben Lena duke e cilësuar antikushtetues vendimin e KLGJ, kërkon rishikim të tijin, ndërsa avokati Ervis Goxhaj në Fier propozon krijimin e tre gjykatave të apelit.

Për Elton Laskën, që drejton Dhomën e Avokatisë në Lezhë, harta e re gjyqësore e propozuar nga KLGJ është shpërfillje për qytetarët. Ndërkohë, Albens Tabaku në Korçë, tregon se harata e re gjyqësore do të largojë drejtësinë nga qytetarët.

Në këtë linjë, avokati Albens Tabaku thotë se drejtësia, do të përfundojë në vetëgjyqësi.

Arsyet se pse nuk duhet të shkrihen disa gjykata apeli, i tregon Kreu i dhomës së avokatisë Durrës, Lorval Petani.

Avokati Arenc Berati, e sheh këtë hartë si dështim të vettingut dhe kapjes së drejtësisë nga qeveria.

Greva e avokatëve në të gjithë vendin do të zgjasë deri ditën e premte. Në rast se Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ nuk do të tërhiqen nga harta e re gjyqësore, ata paralajmërojnë  përshkallëzim të protestave, duke u bërë thirrje edhe qytetarëve të reagojnë./Syri