Qershor 14, 2022 19:38 Europe/Tirane
  • Kryeministri i vendit më të varfër në Europë, Edi Rama me avion personal

Përdorimi i aseteve shtetërore për të kënaqur orekset e kryeministrit dhe ministrave, tashmë është kthyer në standard për qeverinë 'Rama'.

Prej një kohe të gjatë, Edi Rama dhe familja e tij përdorin avionin shtetëror, pjesë e 'Air Albania', për udhëtime personale. 

 

Kujtojmë që me avionin shtetëror Rama, Linda dhe Zaho fluturojnë thuajse çdo javë në vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë. 

 

Ndërsa vizita e radhës e Ramës me avionin personal është ajo drejt Kievit, në Ukrainë, i shoqëruar edhe nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, ata do të takohen në Kiev me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. 

Në fotot që shihni më poshtë është momenti kur Edi Rama dhe Dritan Abazoviç ngjisin shkallët e 'Air Albania' në aeroportin e Rinasit me destinacion Kievin. 

 

Fluturimi ajror me një avion 'airbus', vajtje-ardhje kushton disa mijëra euro dhe pyetja që lind është: Kush i paguan shpenzimet e këtij fluturimi?

Dhe nuk është fjala vetëm për konsumin e avionit që përllogaritet i konsiderueshëm, por edhe për një staf të tërë që merret me përgatitjen e këtij 'airbus' në funksion të kryeministrit, ku vetëm pilotët për çdo orë fluturimi kanë trajtim specifik e deri te teknikët që mirëmbajnë 'Air Albanian' për fluturimin e radhës të kryeministrit. 

Një luks i tepërt në kushtet kur Edi Rama është kryeministri i vendit më të varfër në Europë dhe kur kriza e çmimeve po rrënon çdo ditë e më shumë xhepat e qytetarëve.  

Kujtojmë që nga një investigim që bëri BIRN disa muaj më parë, rezultoi se për një orë fluturim me avion paguheshin deri 15 mijë euro në orë. 

Ndërsa një marrëveshje mes qeverisë dhe kompanisë Air Albania tregon që për të përdorur një avion personal duhen paguar 60 mijë euro, kosto totale shpenzimesh.

Kur Edi Rama ishte në opozitë akuzonte qeverinë e kohës se kishte blerë një makinë të blinduar dhe luksoze me vlerë 70 milionë lekësh, duke e sjellë këtë si simbol të abuzimit dhe shpërdorimit të parave publike. Në çdo deklaratë dhe konferencë për shtyp tërhiq e mos e këput, Rama merrej me makinën qeveritare. 

Por vetë në pushtet ka kaluar nga makina te avioni personal prej qindra mijëra eurosh, goxha revolucion për një vend ku paga mesatare përllogaritet më e ulëta në rajon dhe e barazvlefshme me atë të vendeve të varfra afrikane. 

Dhe nga ana tjetër s'do mend të kuptohet se pse çmimet në Shqipëri arrijnë majat në rastin më të parë që Edi Ramës dhe makinerisë së tij qeveritare i duhet të shpenzojë për luks dhe komoditet. /Syri