Pse e porositi Erion Alibej vrasjen e policit Krenar Guçe
Krenar Guçe është oficeri i Policisë i cili dyshohet se ishte vënë në shenjestër për t’u ekzekutuar nga vrasësi me pagesë Nuredin Dumani. Foto e agjentit të krimeve u gjet në celularin e Dumanit, tashmë i penduari i drejtësisë.
Agjentin e krimeve e donin të vrarë, sepse Krenar Guçe kishte arritur të zbërthente vrasjen e Ergis Runajt në Elbasan kur kishte marrë në pyetje një nga të arrestuarit. Gjatë marrjes në pyetje të Euglen Halilit, ky i fundit është zbërthyer dhe ka treguar se porosia ishte dhënë nga Erion Alibej, personi që ishte përfshirë një hakmarrje të verbër për vrasjen e vëllait të tij.
“I forti” i Elbasanit e donte të vdekur Regis Runajn pasi dyshonte se ishte pjesëmarrës në vrasjen e familjarëve të tij, në ngjarjen e rëndë të Bradasheshit, ku humbi vëllanë, xhaxhanë dhe një mikun e tyre turk.
Alibej u arrestua menjëherë pasi djaloshi që ai kishte porositur për të hequr qafe Runajn u zbërthye para policit Krenar Guçe.
Nga dëshmia e Nuredin Dumanit u mësua se Erion Alibej ishte në dijeni të punonjësit të Policisë që kishte marrë dëshminë e Halilit, ndaj i kishte kërkuar Nuredin Dumanit që ta ekzekutonte.
Hetuesit janë tronditur kur kanë mësuar se bëhet fjalë për oficerin Krenar Guçe, i listuar si një nga personat që duhej të eliminohej për llogari të Erion Alibejt, djalit nga Elbasani, i cili kishte marrë përsipër një hakmarrje të pafre kundër kujtdo që kishte marrë pjesë në ngjarjen e rëndë të Bradasheshit.
Prej viti 2021, Krenar Guçe është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Familja e tij është marrë në mbrojtje këtë të hënë nga vetë kolegët e Guçes, për shkak të rrezikut që mund t’i vijë për shkak të detyrës së agjentit të krimeve./gazetashqiptare