Qershor 17, 2022 10:56 Europe/Tirane
  • U kapën me 20 kg kokainë

Mediat italiane kanë zbuluar detaje të reja nga operacioni për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku i cili u ndalua nga karabinierët e San Benedetto del Tronto me 18.8 kg kokainë të fshehur brenda vazove të luleve, në një fidanishte në Grottammare.

Sipas tyre, lënda narkotike do të dërgohet në Ankona për t’u analizuar, në mënyrë që të përcaktohet përqindja e pastërtisë së drogës.

Ndërkohë që hetuesit vijojnë hetimet për të zbardhur se si mbërriti në fidanishte 18.8 kilogramë kokainë, Kajmaku dhe nipi i tij kanë dëshmuar në policinë italiane dhe kanë thënë se nuk dinë asgjë për praninë e drogës në vazot me lule.

Sipas dëshmisë së Kajmakut dhe nipit të tij, ata shkuan për të blerë bimë në disa fidanishte të zonës dhe i mblodhën në atë të Grottammares, ku duhej të ngarkoheshin.

Ish-kryebashkiaku dhe nipi i tij 34-vjeçar me banim në Monterubbiano, janë ende të ndaluar dhe mbahen në burgun e Fermos.

Ndërkohë, avokati mbrojtës i të dyve, Vittorio Supino thotë se ka ende shumë punë për të bërë për të zbardhur pozicionin e klientëve të tij.

Ai gjithashtu flet për mjetin e krimit, një çantë me shirit natriban, por i njëjti shirit nuk do të ishte përdorur për paketimin e pakove me kokainë të fshehura në dheun e bimëve të sekuestruara./gazetashqiptare/