Qershor 20, 2022 20:27 Europe/Tirane
  • Çmimet e naftës frenojnë konsumin, thellohet rënia e importeve

Rënia e importeve të naftës u thellua më tej në muajin maj, duke reflektuar një brejtje të konsumit prej rritjes së çmimeve në rekorde historike.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, importet e naftës shënuan në muajin maj rreth 44 mijë tonë, nga më shumë se 49 mijë tonë në të njëjtën periudhë të vitit 2021, me rënie 18%. Kjo ishte rënia më e fortë në krahasim me dy muajt paraardhës.

 

Për të gjithë 5- mujorin importet e naftës shënuan rënie me 6% dhe i gjithë fenomeni u përqendrua në tre muajt e fundit mars-maj, pasi nisi lufta në Ukrainë.

Importet e naftës ishin në rritje të shpejtë para se të niste lufta. Në janar 2022 importet shënuan rritje vjetore me 13 % dhe në shkurt 8.4 %, për të pësuar një rënie të shpejtë pasi nisën sulmet ruse në Ukrainë dhe çmimet nisën rritjen. Në mars importet ranë me 16%, në prill me 12 për qind, ndërsa në maj rënia u thellua më tej dhe importet ranë me 17%.

Me fillimin e luftës çmimi i naftës në tregun e brendshëm u rrit me 30 për qind në javën e parë të marsit, duke i kaluar 245 Lekë për litër. Tani çmimet e naftës po përcaktohen nga një Bord ku merr pjesë edhe qeveria. Të premten një litër naftë u tregtua 265 Lekë për litër ose rreth 40% më e lartë se, një vit më parë.

Por burimet nga tregu pohojnë se, konsumi i naftës në Shqipëri ka treguar se është rezistent ndaj rritjes së çmimeve. Makina konsiderohet si një mjet i domosdoshëm, për shkak të transportit jo cilësor publik. Aktorët e tregut pohojnë se rënia e konsumit të karburanteve është konstatuar më shumë në rrethet kufitare që kanë nisur të furnizohen në vendet fqinjë.

Pas një politike agresive taksimi mbi naftën në këto 10 vitet e fundit, Shqipëria është shndërruar vendi me çmimin më të lartë të naftës në botë në raport me fuqinë blerëse. Por konsumi dhe çmimi kanë ecur paralelisht, për shkak se numri i përdoruesve të automjeteve është rritur gjatë kësaj periudhe.

Lufta në Ukrainë ka rritur çmimet e mallrave kudo në botë, por nga ana tjetër sjellja konsumatorë po tregon ndryshime. Në disa produkte jo jetike konsumi po bie me shpejtësi teksa shpenzimet po përqendrohen në mallrat jetike.

Vende të të ndryshme po ndërmarrin politika për të lehtësuar përdoruesit nga çmimet e larta. Psh Gjermania së fundmi ka miratuar një anketë e cila ul abonenë mujore për transportin publik nga 80 Euro në 9 Euro për distancat deri në 50 kilometër, ndërsa uli akcizën për naftën.

Vende të tjera gjithashtu kanë marrë masa fiskale duke ulur taksimin mbi karburantet.

Por, ndryshe nga mallrat e tjera ndikimi i çmimeve të larta të naftës ndikon negativisht konsumin e pjesës tjetër të mallrave.

Rritjet të mëdha të çmimeve të naftës nënkuptojnë rënie të ndjeshme të fuqisë blerëse të familjeve, e cila do të duhet të absorbohet nëpërmjet reduktimit të konsumit të mallrave dhe shërbimeve jo-naftë dhe reduktimit të kursimeve./Monitor