Rama braktisi samitin e BE
Skandaloze i ka cilësuar nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh pesimist për hapjen e negociatave, ndërsa paralajmëroi edhe bojkotin e Shqipërisë në samitin e BE-së.
I ftuar në ABC, Boçi tha se deklarata të tilla dëmtojnë investimin në tre dekada të shqiptarëve në ëndrrën e tyre evropiane. Demokrati theksoi se Rama luan lojën e dikujt tjetër, duke shtuar se në këtë rast favorizohet Serbia.
Janë festuar gati pesë herë këto hapjet e negociatave. Dhe jemi përballë një deklarate skandaloze të kryeministrit tonë. Është një dëmtim i plotë i investimit të shqiptarëve me ëndrrën e tyre në raport me BE. Deklarata të tilla kanë përgjegjësi.
Duket që Rama bën lojën e dikujt tjetër. Samiti kishte edhe një natyrë simbolike për Ukrainën, duke qenë në këtë lloj atmosfere nuk mund të bësh deklarata të tillë edhe sikur të të jetë bërë padrejtësi e madhe. Më e favorizuar është Serbia, që i rri mirë ky qëndrim. Rama nuk mund ta bënte një deklaratë të tillë. Nuk është rastësore.”-tha Boçi./Syri