Qershor 26, 2022 18:58 Europe/Tirane
  • Kukës, helmim masiv në fshatin Shtiqen

Rreth 50 banorë të fshatit Shtiqen në Kukës kanë shfaqur simptoma helmimi, i cili dyshohet të ketë ardhur nga uji i pijshëm. Banorët janë paraqitur për ndihmë mjekësore në urgjencë, ndërkohë që ISHP po analizon monstrat e ujit që konsumojnë banorët.

Më shumë se 50 banorë të fshatit Shtiqen në Kukës, kanë shfaqur shenja helmimi, ndërsa janë paraqitur në spitalin e qytetit për të marrë shërbim mjekësor. Banorët janë paraqitur në urgjencën e spitalit të Kukësit me diarre dhe shenja të tjera helmimi, teksa pasi kanë marrë shërbim mjekësor, janë larguar përsëri për në banesë.

Këtë fakt e konfirmoi mjeku i urgjencës në spitalin e Kukësit, Albert Shehu, i cili tha se kjo fundjavë ka pasur fluks vizitash. Ai u shpreh se për situatën është njoftuar drejtoria e higjencës, e cila ka marrë monstra të ujit për analiza.

 

Nga ana tjetër, me një njoftim në rrjetet sociale, Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime në Kukës njoftoi se monstrat e marra nga uji paraprakisht duken pa ngjyrë dhe erë. Megjithatë, për sigurinë e banorëve, është ndërpreë furnizimi me ujë në lagjen Mujë, deri në përgjigjen e analizave të tij nga ISHP./Syri