Qershor 28, 2022 09:59 Europe/Tirane
  • Shqipëria, kultivuesja kyçe e kanabisit në botë

Raporti i fundit Botëror i Drogave 2022, e rendit Shqipërinë si një nga vendet kryesore në rang global për kultivimin e kanabisit. Vendi ynë pozicionohet i shtati në botë për origjinën, nisjen dhe tranzitin e kanabisit për periudhën 2016-2019. Në rajonin e Evropës Juglindore, Shqipëria renditet e para për tregtimin dhe kultivimin e drogës. Raporti vlerëson se legalizimi i kanabisit ka shtuar numrin e përdoruesve

Shqipëria pozicionohet ndër vendet kryesore të kultivimit të kanabisit në botë. Në Raportin e fundit Botëror të Drogave  2022, Shqipëria renditet e shtata në rang global, si një nga shtetet më të përmendura për origjinën, nisjen dhe tranzitin e kanabisit për periudhën 2016-2019, pas Marokut, Afganistanit, Spanjës. Holandës, Pakistanit dhe Libanit.

Raporti thekson se Shqipëria renditet e para në rajonin e Evropës Juglindore, duke sugjeruar se ka një tregti të konsiderueshme të kultivimit të kanabisit që, ose eksportohet, ose përdoret brenda vendit.

Pas Shqipërisë renditen Turqia, Rumania e Bullgaria.

Shqipëria përmendet edhe në të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit për heroinën, që fillon nga Pakistani, kalon nëpër Siri, Turqi, Greqi, Shqipëri dhe përfundon në vendet e Europës Perëndimore.

Muajin e kaluar, një raport i Qendrës Evropiane për Monitorimin e Drogës zbuloi se që nga viti 2017, grupet kriminale shqiptare janë zgjeruar, por edhe janë bërë më të sofistikuara, duke punuar me importet dhe shpërndarjen e kokainës nga Amerika Latine në Evropë.

“Për vite me radhë, importuesit ndërkombëtarë të kokainës punonin veçmas nga tregtarët me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogë në rrugë. Megjithatë, një rrjet kriminal shqipfolës e braktisi këtë model dhe vendosi kontrollin mbi importet dhe shpërndarjen”, thuhet në raport.

Sipas raportit të OKB-së, legalizimi i kanabisit në disa vende ka përshpejtuar përdorimin e drogës. Ai gjithashtu raporton një rritje të përdorimit të kokainës, drogave sintetike dhe mangësi në mekanizmat e trajtimit të drogës, veçanërisht për gratë.

Në renditje, Shqipëria arriti të mposht Kirgistanin, Iranin, Nepalin dhe Indinë si vende të origjinës dhe nisjes për kanabisin. Ai gjithashtu mundi Spanjën dhe Holandën për sa i përket të qenit një vend i origjinës.

Qeveria shqiptare ka pretenduar prej kohësh se po fiton luftën kundër kultivimit të drogës në vend, por raportet ndërkombëtare vlerësojnë të kunderrten.

Për më tepër, ka raportime në rritje për trafikantët shqiptarë të drogës që eksportojnë prodhimin e tyre në vende të tjera evropiane, duke ngritur shtëpi për rritje në prona rezidenciale në MB, Gjermani, Austri, etj./Syri