Vetëm gjoba nëse tentohet trafikimi i drogës
Pak ditë pasi Shqipëria u rendit e shtata në botë për vendet e përmendura në trafikun e kanabisit, qeveria Rama hodhi për konsultim projekt-ligjin që i hap rrugë kultivimit të kanabisit mjekësor. Ideja është pritur mes kundërshtimesh të forta, pasi tregu i kanabisit është kontrolluar deri tani nga grupet kriminale, që kanë fuqizuar bandat dhe janë bërë shkak për përplasje të dhunshme deri edhe vrasje
Por sipas projektligjit, kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore do të kryhet nën kontrollin e rreptë të qeverisë. Si fillim, një kompani duhet të ketë eksperiencë në këtë fushë, të jetë e licensuar nga Bashkimi Europian dhe duhet të paguajë një tarifë prej 100 milion lekësh. Puna do të monitorohet nga disa ministri, si ajo e Bujqësisë, e Shëndetësisë dhe Policia e Shtetit.
Projektligji parashikon krijimin e një agjencie që mbikëqyr kompanitë që do të kultivojnë bimën narkotike. Bari i mbjellë në sera do të jetë vazhdimisht i gjurmueshëm përmes një regjistri elektronik dhe po ashtu i gjithë procesi i kultivimit, korrjes deri edhe paketimit dhe eksportimit.
Përcaktohet se një parcelë do të jetë mes 5 dhe 10 hektarë. Një kompani që kultivon kanabis mund të ketë deri në 4 parcela pranë njëra tjetrës, pra nuk mund të ketë më shumë se 40 hektarë gjithsej.
“Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar”, thuhet në nenin 12 të projektligjit.
Monitorimi do të jetë i rreptë, me një mori licensash dhe me detyrimin për të gjurmuar elektronikisht bimët e kanabisit. “Gjatë fazës së verifikimit ministri mund të vendosë pezullimin e lejes së kultivimit”, thuhet në nenin 20 të projektligjit.
Por historia e kontrollit të këtij biznesi nga grupet kriminale shton rrezikun e devijimit të barit narkotik pasi është prodhuar. Po sikur një kompani e licensuar të vendosë ta trafikojë, në vend se ta dërgojë drejt laboratorëve mjekësorë?
Penalitetet parashikohen në “Nenin 40” dhe ndryshe nga çfarë ndodh deri tani, kur trafikantët e kanabisit dënohen me burg, për të licensuarit e prodhimit të kanabisit mjekësor do të ketë vetëm gjoba. Ndëshkimi do të jetë 5 milionë lekë, nëse ka shkelje të tilla si reklamimi i barit, apo mosdeklarimi i sipërfaqeve të mbjella, apo refuzimi për të deklaruar parcelat, apo kur tejkalohet masa e parcelave të licensuara për kultivim të kanabisit.
Sipas nenit 40 në projekt-ligj, nëse një kultivues i kanabisit ka mbjellë më shumë parcela se ç’ka deklaruar dhe konstatohet se “nuk merr masa për keqpërdorim të kanabisit”, ai nuk dënohet me burg, siç ka ndodhur deri tani, por vetëm me gjobë, shkruan Lapsi.
Neni ku përcaktohen penalitetet për abuzimet me kultivimin e kanabisit duket krejtësisht i paqartë, por në thelb lë një hapësirë të konsiderueshme kultivuesve, nëse këta tentojnë ta trafikojnë lëndën ndarkotike. I plotë më poshtë:
Neni 40
Kundërvajtjet
1. Kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e dispozitave të këtij ligji përbëjne kundërvajtje administrative dhe do të dënohen me një gjobë deri në masën 5.000.000 (pesë milionë) Lekë, nëse:a. Bën reklamë për prodhimin, në mënyrë direkte ose indirekte, ose bën shitje direkte; me pakicë;b. Nuk zbaton masat e shprehura me vendim nga inspektori mbikëqyrës;ç. Pengon procesin e marrjes së mostrave;c. Kultivon kanabis për qëllime industriale, pa kontratë paraprake dhe në kushte të shkeljes së ligjit;d. Kur ka mbjellë dhe administruar sipërfaqe më të mëdha me kanabis industrial, ose kur regjistrimin e sipërfaqeve nuk e ka kryer brenda afatit të parashikuar;gj. Nuk deklaron sipërfaqet në të cilat kultivon kanabis për qëllime mjekësore dhe/ose kanabis për qëllime industriale;e. Kryen proçese për të cilat nuk është i autorizuar ose nuk dorëzon brenda afatit të parashikuar në ligj raportet e nevojshme për institucionet mbikëqyrëse dhe kontrolluese;f. Tejkalon afatin e caktuar për grumbullimin e sasive të prodhuara të kashtës së kanabis për qëllime mjekësore dhe/ose kanabis për qëllime industriale;g. Nuk e njofton ministrinë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, ministrinë përgjegjëse për bujqësinë dhe ministrinë përgjegjësë për shëndetësinë për çdo gjendje që tregon dyshim se kanabisi ose pjesë të bimëve janë përdorur ose do të mund të përdoren për prodhimin e lëndëve psikoaktive;h. Kultivon kanabis për qëllime industriale pa autorizimin përkatës;i. Nuk mban Regjistër për sasinë e prodhuar dhe atë të blerë të kanabisit për qëllime mjekësore dhe/ose industriale nuk dorëzon raportin brenda afateve ligjore tek autoritetet mbikëqyrëse;j. Punon në kushte që janë në kundërshtim me autorizimin e dhënë;k. Nuk përsërit kërkesën për ripërtëritjen e lejeve;th. Reklamon produktet me bazë kanabis në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të fshehtë;x. Nuk tregon kujdes për ruajtjen e bimëve në mjedise të veçanta për magazinim, tharjen etj, duke lejuar hyrjen e personave të paautorizuar;xh. Nuk korrespondojnë të dhënat e regjistrave të tij me regjistrat e institucioneve pas verifikimit nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe Ministria përgjegjëse për shëndetësinë;y. Nuk bëhet administrim rigoroz i qarkullimit të personave të paautorizuar në mjediset e brendshme dhe çelësat e mjediseve ose kasafortat ku ruhen farërat, regjistrat etj., përdoren pa mbikëqyrje dhe protokoll;z. Nuk regjistron në kohë reale kur bëhet secili import, eksport, transport, blerje, shitje ose nuk ruan dokumentacionin për një periudhë minimale prej pesë vjet;zh. Nuk dorëzon raporte analize dhe një vlerësim për nevojat për vitin e ardhshëm;aa. Nuk dorëzon raporte vjetore për sasitë e konfiskuara ose të shkatërruara të bimëve dhe preparateve;bb. Heq, prish, manipulon pajisjet, shenja, etiketat apo pullat e parashikuara në nenin 34 të këtij ligji.cc. Pengon, shmang inspektimin apo verifikimin mbi gjurmueshmërinë ose shmang sistemin e shënjimit dhe gjurmimit;dd. Kultivon, prodhon, përpunon, furnizon,tregton, mban, transporton, bimë,fara, produkt me lëndë psikoaktive dhe substanca psikotrope të pa shenjuar sipas përcaktimeve në 34 për Shenjimin dhe Gjurmimin.2. Krahas gjobës së parashikuar nga paragrafi 1 i këtij neni, personit juridik mund t’i caktohet edhe sanksion për kundërvajtje ndalim i përkohshëm i kryerjes së veprimtarisë. Kohëzgjatja e ndalimit të veprimtarisë caktohet nga gjashtë muaj deri në tre vjet.3. Krahas gjobës, për veprimtaritë që ushtrohen në shkelje apo tejkalim të ligjit, personit përgjegjës në personin juridik i caktohet edhe masa ndalim i kryerjes së veprimtarisë. Kohëzgjatja e ndalesës nuk mund të jetë më e gjatë se një vit.4. Personi përgjegjës në personin juridik i caktohet gjobë në shumën prej 300 000 (treqindmijë) lekë deri në 700 000 (shtatëqindmijë) për kundërvajtje nëse:a. rezulton se përtej afatit prej katër muajsh pas përfundimit të korrjes nuk e ka dorëzuar ende prodhimin e plotë, përkatësisht të gjitha sasitë e pjesëve të kanabisit për qëllim, të cilat mund të shërbejnë për prodhimin e lëndëve psikoaktive;b. nuk bën deklarim të saktë për sipërfaqet për prodhimin e bimëve, ose i deklaron përtej afatit prej 15 ditësh pas mbjelljes;c. kultivon kanabis industrial pa miratim dhe me kushte në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji;ç. nuk i paraqet sipërfaqet për prodhim të kanabisit për qëllim në afat më vonë se 15 ditë pas mbjelljes;d. e dorëzon prodhimin e plotë përtej afatit prej katër muaj pas mbarimit të korrjes, përkatësisht të gjitha sasitë e pjesëve të, që shërbejnë për prodhimin e lëndëve psikoaktive;dh.nuk përditëson regjistrat me të dhënat që parashikon ligji brenda afatit dhe në kohë reale, si dhe kur nuk dorëzon raportin brenda afateve të parashikuara;e. nuk përgatit njoftimin e menjëhershëm për Ministritë dhe autoritetet përgjegjëse për mbikëqyrjen për çdo gjendje që tregon dyshim se kërpi ose pjesët e kanabisit për qëllim janë përdorur ose do të mund të përdoren për prodhimin e lëndëve psikoaktive;ë. nuk i merr të gjitha masat që të ndalojë keqpërdorimin e bimëve dhe/ose dëmtimin e tyre;f. heq, dëmton, manipulon, pajisjet, shenjat, etiketat apo pullat si dhe pengon, shmang inspektimin apo verifikimin mbi gjurmueshmërinë sipas përcaktimeve të këtij ligji./Syri