Barrierat e padukshme mes Shqipërisë dhe Kosovës
Marrëdhëniet tregtare dhe të biznesit mes Shqipërisë dhe Kosovës janë rritur me shpejtësi në dekadën e fundit, duke marrë hov pas ndërtimit të Rrugës së Kombit.
Kosova është partneri i gjashtë i Shqipërisë, sa i përket volumit tregtar, pas Italisë, Turqisë, Gjermanisë, Greqisë dhe Kinës, me gati 4% të totalit.
Kosova është e rëndësishme për eksportet shqiptare, duke u renditur e treta, pas Italisë e Gjermanisë, me 7.6% të totalit, ndërsa pesha e importeve nga Kosova zë vetëm 1.63% të totalit për 5-mujorin e parë 2022.
Kosova është nga të paktat shtete, me të cilat Shqipëria ka bilanc tregtar pozitiv, sipas INSTAT. Investimet e huaja nga dy vendet janë në rritje, por bizneset e vogla nga Kosova dominojnë dhe vetëm 1.5% e sipërmarrjeve nga Kosova, ose të përbashkëta, që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, kanë më shumë se 50 punonjës.
Turizmi është sidomos sektori ku lidhjet janë më të forta. Në dy vitet e pandemisë (2020-2021), pothuajse gjysma e hyrjeve të shtetasve të huaj ishin nga Kosova, duke u bërë shpëtimtarë të sektorit në Shqipëri.
A është kjo rritje e dekadës së fundit brenda potencialeve?! Përtej vullnetit të mirë, me mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive dhe përpjekjeve për nënshkrimin e marrëveshjeve të shumta, problematikat mbeten të shumta.
Barrierat e dukshme, e sidomos ato të padukshme, pengojnë që të dy vendet të integrohen realisht me njëra-tjetrën dhe të veprojnë si tregje plotësuese.
Në kuadër të mbledhjes së fundit të dy qeverive, “Monitor” foli me aktorë të shumtë. Përtej patriotizmit, skepticizmi mbizotëron. Nuk ka analiza dhe bilance konkrete rreth rezultateve të marrëveshjeve ekzistuese dhe të nevojave kryesore që duhet të adresojnë vendimet e reja. Nuk ka përparësi në përcaktimin e axhendës së bashkëpunimit dhe të marrëveshjeve. Ka mbipërdorim të simbolikës patriotike dhe propagandës dhe më pak orientim në çështje madhore konkrete.
Nismat e reja, si heqja e njëanshme e tarifave doganore, nuk mbështeten në analiza ekonomike dhe në ndjekjen e një rruge protokollare, por bëhen duke anashkaluar sistemin dhe në funksion të axhendës së përdorimit të elementit patriotik për qëllime politike dhe propagandistike.
Bizneset ankohen se barrierat tarifore dhe jotarifore me Kosovën kanë mbetur të njëjta në pesë vitet e fundit, megjithëse qeveritë e dy shteteve kanë shprehur vullnetin politik për zgjidhjen e tyre shumë herë.
Politikat tregtare, që nxiten nga qëllime politike dhe nuk bazohen në parimet e reciprocitetit, mund të sjellin konkurrencë të pandershme dhe dëme për prodhuesit vendas.
Mungon koordinimi i politikave për të qenë komplementarë në sektorë strategjikë, si energjia apo bujqësia; për shembull, skemat e subvencioneve që ndjekin dy vendet janë të ndryshme. Nuk ka politika të koordinuara dhe as shkëmbim informacioni lidhur me ato kultura bujqësore që mund të plotësojnë nevojat e ndërsjella, për sezonet përkatëse të prodhimit.
Që kur Kosova u bë shtet, shqiptarët dhe qeveritë e dy anëve të kufirit nuk kanë arritur të krijojnë marrëdhënie normale tregtare dhe ekonomike. Bashkëpunimi, në vend që të thellohet, është fragmentarizuar, i mbushur me konflikte dhe pengesa. Në të gjithë historinë e saj të tregtisë së lirë me jashtë, Shqipëria nuk njeh aq konflikte sa me Kosovën.
Edhe Kosova nuk njeh pengesa në tregtinë me jashtë sa me Shqipërinë. Rezultati final ka qenë në dëm të krijimit të një tregu të përbashkët, prej të cilit do të vinin të mirat ekonomike, për të dy anët e të njëjtit komb.
Përpara se të integrohen brenda Ballkanit apo në Europë, dy shtetet që flasin të njëjtën gjuhë e kanë të domosdoshme të gjejnë dhe rrugën e përbashkët (jo atë fizike që e kanë tashmë) për t’u integruar me njëra-tjetrën.
Një treg i përbashkët do t’i bënte të dyja shtetet më të forta, që strategjikisht të mbështesin njëra-tjetrën në raste krizash, duke shfrytëzuar avantazhet konkurruese të secilës, në kuadër të një ekonomie plotësuese, si dhe do t’i bënte më të afta dhe më me peshë për të konkurruar, edhe në projekte rajonale bashkëpunimi e integrimi.
Për fat të mirë, qeveritë nuk po ngurrojnë që publikisht të shprehen për thellim të bashkëpunimit. Ajo që kërkohet është që këto mbledhje të shkojnë përtej propagandës, duke u përqendruar në zgjidhjen reale të problemeve mes vendeve, në çështje parësore e me ndikim te popullsitë e dy vendeve dhe eliminimin e barrierave të padukshme!/Syri