Korrik 12, 2022 20:17 Europe/Tirane
  • Tjetër kompani u ligjërua nga Tatimet në emër të të vdekurit

Thellohet skandali i evazionit fiskal 189 milionë eurove, pjesë e së cilës janë edhe kompanitë e inceneratorëve të Klodian Zotos.

Kryeredaktori i Syri Tv Romir Saraçi ka publikuar në emisionin Task Force të Sonila Meços dokumente të tjera, ku tregohet se si firma e Gjyste Serrmit është përdorur pas vdekjes edhe në një tjetër kompani, e këtë herë duke i shkaktuar shtetit një dëm shtesë prej 800 milionë lekësh, veç evazionit që kishte kryer kjo kompani.

 

Nga dokumentet rezulton se të njëjtit persona çifti Dashamir e Vjollca Ymeri kanë përdorur të njëjtën skemë, duke falsifikuar firmën e të ndjerës Gjyste Serrmi pas vdekjes e më pas kanë dorëzuar pranë Drejtorisë së Tatimeve bilancin e vitit 2016 kur kanë kryer një xhiro mbi 8 miliardë lekë.

 

 

Sipas këtyre dokumenteve rezulton se kompania i është shitur Gjyste Serrmi rreth një vit para vdekjes, kur Dashamir e Vjollca Ymeri kishin kryer fatura fiktive në vlerën e 8 miliardë lekëve.

Pasi kishin kryer procedurat, për të humbur gjurmët e për t'i shpëtuar detyrimeve ndaj shtetit, shitën kompaninë te Gjyste Serrmi.

Por edhe në këtë rast, pasqyra financiare është dorëzuar me vonesë.

Për shkak të vonesës ka lindur nevoja e falsifikimit të firmës të Gjyste Serrmit e cila tashmë kishte vdekur.

Pasqyra Financiare me firmë të Gjyste Serrmit është pranuar pa më të voglin kundërshtim nga Drejtoria e Tatimeve dhe Qendra Kombëtare e Biznesit.

 

 

Por në këtë rast abuzimi është edhe më i rëndë.

Nëse në procedurat e kryera në kompaninë Elvis 03, ishte falsifikuar firma e Gjyste Serrmit dhe në Tatime paraqitej tjetër person, për kompaninë Frangaj International, sipas dokumenteve rezulton se Gjyste Serrmi “është paraqitur vetë” e ka dorëzuar bilancin e vitit 2016.

Kjo procedurë është kryer në datë 31/07/2017, pra 14 ditë pas vdekjes së saj. E në bilancet dhe procedurat e kryera nga Drejtoria e Tatimeve, është vendosur firma e Gjyste Serrmit./Syri