Inceneratori i Elbasanit djeg 27 milionë €
Pasi gllabëroi 27 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë, inceneratori i ELbasanit është marrë në dorëzim nga Bashkitë e Qarkut të Elbasanit, e sot edhe për shkak të sekuestros, drejtimi i tij i është besuar një administratori shtetëror.
Që prej dhjetorit të vitit 2021 ky incinerator është i fikur, e mbetjet aty nuk digjen. Administratorët aktual e justifikojnë këtë me një fazë remonti, e cila duket se po zgjat përtej çdo afati. Syri Tv ka shkuar sot pranë këtij Inceneratori, ku me sy të lirë, duket se jo vetëm që impianti i incenerimit është jashtë funksioni, por puna është ndërprerë edhe në landfillin e krijuar për ndarjen e mbetjeve.
Pas 27 milionë euro investim, ky incinerator tashmë po kthehet edhe në problem. Mbetjet e hedhura kudo dhe pa administrimin e duhur, rrezikon që të shkaktojë dëme mjedisore në zonën përreth.
Nga burime brenda këtij Inceneratorit, Syri TV mëson se situata me mbetjet është jashtë kontrolli. Rivënia në punë e Inceneratorit, duket e pamundur për shkak të kostos së lartë. Ai kërkon një sasi të madhe nafte për tu mbajtur në punë, kostoja e se ciles është e papërballueshme për Bashkinë e Elbasanit.
Gjithashtu pajisjet e vendosura janë jashtë funksionit dhe remonti i tyre kërkon shpenzime të larta, çka do e frynte edhe më shumë faturën e investimit për këtë Incenerator. Sikur të mos mjaftonte vetëm problemet që ka inceneratori, edhe situata në landfillinin e menaxhimit të mbetjeve është jashtë kontrolli. Kompania e krijuar për menaxhimin e Inceneratorit të Elbasanit, e sekuestruar nga SPAK, po punon me gjysmë kapacitet, e personat që punojnë aktualisht aty e kanë të papërballueshme menaxhimin e mbetjeve.
Problemi shtohet edhe nga mungesa e makinerive të nevojshme për ndarjen e mbetjeve, ndaj dhe janë të detyruar që për momentin të bëjnë vetëm procesin e depozitimit, ku edhe me sy të lirë duket ezaurimi i kapaciteteve. Në këtë situatë, afera prej 27 milionë euro jo vetëm që zhdukur taksat e shqiptarëve, por po kthehet në një rrezik për mjedisin dhe banorët përreth. /syri/