Gusht 27, 2022 16:17 Europe/Tirane
  • Çfarë fshihet pas shërbimit falas për 'Detin'?

Fondacioni i ish-kryeministri britanik, Toni Blair, është ofruar të ndihmojë Shqipërinë përballë Greqisë në Gjykatën e Hagës, për çështjen e delimitimit të kufirit detar.

Zëdhënësi i kryeministrit, Endri Fuga, i cituar nga mediat në Shqipëri, ka deklaruar se qeveria nuk ka asnjë marrëveshje financuese me studion “Toni Bler Institute for Change” dhe se përfshirja e fondacionit në Hagë nuk do t’u kushtojë asgjë shqiptare. 

Amerikanët kanë një shprehje: “Nuk ka drekë falas”. Dhe ish-kryeministri britanik, Tony Bler, ka treguar se di të jetë më shumë amerikan se sa anglez.  Gruaja e tij, Sheri Bler, ka krijuar një studio përfaqësimi ligjor të fuqishme me klientë në vendet e botës së tretë. 

Media britanike ka raportuar se klientët e Sheri Bler janë miqtë e Tonit në shtete të ndryshme. Toni Bler dhe kryeministri Edi Rama deklarohen se janë miq me njëri-tjetrin. Falë kësaj miqësie, zyra e Sheri Bler ka përfituar kontrata të ndryshme përfaqësimi për llogari të qeverisë shqiptare. 

Në vitin 2015, qeveria Rama dhe studio “Omnia Strategy” e Sheri Bler, nënshkruan kontratë për përfaqësimin e vendit tonë në Arbitrazhin Ndërkombëtar, përballë kompanisë “Rapiscan”. Marrëveshja u mësua nga publiku shqiptar vetëm pas një raportimi në median britanike. Për këtë shërbim, “Omnia Strategy” e Sheri Bler përfitoi rreth 650 mijë euro.  

“Omnia Strategy” është përfshirë edhe në përballjen në Arbitrazh ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe biznesmenit italian, Francesko Beketi, ndërkohë që qeveria nuk e ka përmendur asnjëherë zyrtarisht. Emri i studios së Sheri Bler gjendet në listën e këshilltarëve të qeverisë shqiptare në çështjen “Francesko Beketi etj kundër Shqipërisë”. 

Çështjet financiare që lidhin studion e Sheri Bler me qeveria Rama në përgjithësi i mbahen larg vëmendjes së publikut. Kështu, “Omnia Strategy” përfaqëson Shqipërinë në një përballje Arbitrazhi Ndërkombëtar me kompaninë “Valeria Italia”. Për këtë çështje nuk ka asnjë të dhënë publike në vendin tonë dhe ajo gjendet e raportuar në një faqe interneti italiane, e specializuar për rastet e arbitrazheve ndërkombëtare. /SYRI/