Sistemi TIMS dhe e-Albania dalin në shitje
Hakerat që kanë sulmuar institucionet shqiptare së fundmi edhe sistemin TIMS në dogana të cilët identifikohen me faqen ‘Homeland Justice’, kanë nxjerrë në shitje të dhënat e serverëve që ata disponojnë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ata ofrojnë 800 GB të dhëna për 900 dollarë. Kujtojmë që gjatë muajit korrik hakerat sulmuan administratën dhe ministritë duke bërë publike komunikimet përmes e-maileve.
Ndërkohë që pak ditë më larë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, lidhur me këtë sulm ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi pas hetimeve të agjencive shqiptare dhe atyre partnere, rezultoi se hakerat mbështeteshin drejtpërdrejtë me Iranin.
Nuk vonoi shumë dhe hakerat ashtu siç edhe paralajmëruan nisën hakmarrjen.
Nga ora 23:15 e së premtes në mbrëmje dhe përgjatë gjithë ditës së shtunë, sistemi TIMS në të gjitha pikat kufitare të Shqipërisë ishte jashtë sistemit.
Edhe pse qeveria shqiptare tha se gjithçka mbetet nën kontroll dhe se çdo sulm është zmbrapsur, hakerat tashmë kanë nxjerrë në shitje të dhënat që janë marrë nga sistemi TIMS në Shqipëri, por edhe në adresat elektronike të zyrtarëve shqiptarë.
Kjo do të thotë se ‘sekretet’ e Shqipërisë tashmë mund të blihen në treg. Një tjetër fakt është se hakerat kërkojnë që pagesa për blerjen e të dhënave të bëhet përmes parasë elektronike Bitcoin, që të jetë e pamundur për tu kuptuar se ku po shkojnë këto para./Syri