Gjysma e shqiptarëve në rrezik varfërie
Privimi i thellë material në përballimin e disa shpenzimeve dhe shkalla e papunësisë kanë bërë që gjysma e popullsisë në Shqipëri të jetë e rrezikuar nga varfëria sipas Eurostat. Sipas INSTAT, në Shqipëri treguesi I rrezikut të varfërisë është 43.4%, sa dyfishi I vendeve të BE.
Gjysma e popullsisë së Shqipërisë është në rrezik për të qenë I varfër. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat 21.6 për qind e popullsisë në 27 vendet e anëtarë të BE-së ishin të rrezikuar nga varfëria dhe përjashtimi social në vitin e pandemisë 2020. Në Shqipëri ky tregues, sipas INSTAT ishte sa dyfishi i mesatares se BE-së, me 43.4 për qind të popullsisë në rrezik për të qenë të varfër. Pas Shqipërisë, nivelin më të lartë të personave në rrezik varfërie dhe përjashtim social e ka mali i Zi, me 38%, i ndjekur nga Rumania me 34.4%, Turqia 34%, Maqedonia e Veriut 32.6, Bullgaria 31.7, Serbia 29.8. Sipas përcaktimeve të Eurostat rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social i referohet individëve thellësisht të privuar materialisht, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim, raporton Monitor.
Kategoritë e privimit material, sipas Eurostat janë 9 dhe kanë të bëjnë me
1-Pamundësinë për të paguar në kohë këstet e kredisë apo qirasë, blerjet me këste ose pagesa të tjera
2- Pamundësia për të përballuar shpenzimet për pushimet vjetore një javë larg nga shtëpia;
3- Pamundësia për të përballuar një vakt me mish, pule, peshk një herë në dy ditë;
4- Pamundësia për të përballuar një shpenzim të paparashikuar
5-Pamundësia financiare për të përballuar një telefon
6- Pamundësia financiare për të pasur një TV
7- Pamundësia financiare për të pasur një makinë larëse
8- Pamundësia financiare për të pasur një makinë
9- Pamundësia financiare e familjes për mbajtjen e shtëpisë ngrohtë në dimër.
Sipas Eurostat në vitin 2020 në BE ishin 96.5 milionë njerëz në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social , që përfaqësonin 21.9% të popullsisë./Syri