Shtator 21, 2022 08:06 Europe/Tirane
  • 'Përmbytemi dhe paguajmë qindfishin e kostove të politikave të gabuara!'

Lajmet e ditës në kohë reshjesh si këto të fundit hapen; - Rrezik i madh nga rrëshqitjet - Rrezik nga përmbytjet - Rrezikohet jeta e banorëve… - Rrezikohen bizneset... - Bllokohen rrugët - Katastrofa është afër etj etj…

Po përse ka rrezik tek ne, edhe për kaq pak reshje sa bien tani?! E thjeshtë fare! I kemi prerë pyjet tona, i kemi djegur, nuk jemi kujdesur e as nuk e bëjmë më, prej dekadash.I presim dhe djegim pyjet dhe pastaj habitemi pse ska as hije ku të fusësh kokën në vapë…

 

Ku do të ndalen pikat e shiut nëse kodrat e malet nuk kanë pyje?

Askund!

Nga maja e malit do vijnë drejt përroit e lumit me vrull të pandalshëm, e duke dyfishuar edhe volumin prej tokës që shpëlajnë e marrin me vete. Vijnë aq vrullshëm duke shkaktuar minimumi dy dëme të mëdha; lënë tokë të shkretuar gjithë rrugës që bëjnë, dhe pastaj mbushin me aluvione rezervuaret e ujit të HEC-eve apo ato të bujqësisë duke ju shkurtuar jetën. Apo shpresojmë që uji të ngjitet lart, prej nga erdhi?!

I hedhim mbeturinat ngado, më keq se lopa bajgat dhe pastaj çuditemi pse bllokohen tubacionet, përrenjtë apo kanalet e kullimit. Çfarë presim pastaj nga natyra ne, të na duartrokasë?!

Që të krijohet 1 cm tokë, natyrës i duhen 300-500 vjet. Në rastin tonë, shiu na e shpëlan në një vit. Për çdo vit, e kthejmë natyrën minimumi 100 vjet mbrapa me proçet tokëforumese. Dhe në rastin më të keq, e kthejmë 500 vjet mbrapa.

Ndaj Shqipëria e ka nivelin e erozionit plot 12 herë më të lartë se mesatarja e vendeve evropiane. Ne e masakrojmë tokën tonë.Ku na çon mushka kështu?

Si vendi me politikat më të gabuara që mund të kishim, ne vazhdojmë e qurravitemi sa herë bien ca pika shiu! Pastaj menjëherë bëjmë tendera për të rregulluar rrugët a kanalet që do prishen sërish pas një rrebeshi tjetër, teksa paguajmë sa qimet e kokës pasojat e humbjeve nga reshjet.Ne vazhdojmë të luftojmë me mullinjtë e erës. Dhe nuk na bëhet vonë fare!

Por a pyet njeri nga këta që qurraviten e bëjnë sikur ju “dhimbset” fort pasuria kombëtare, se;Kush i menaxhon sot pyjet?!Po rezervuaret e ujit?!Po shtretërit e lumenjve?Po burimet ujore?!Po mjedisin në përgjithësi?Po ndërtimet pa leje të cilat vetëm ato që paguhen për t'i ndaluar nuk i shohin… Askush, në realitet. Ama në letra plot bashki, agjensi, struktura e superstruktura paguhen…

Milton Friedman thotë ‘Nëse i caktoni qeverisë të menaxhojë shkretëtirën e Saharasë, pas vetëm 5 vitesh do të kishte mungesë rëre’. Ne, shpenzojmë për makiazhe, dhe bëjmë sikur nuk e dimë që jemi lakuriq fare nga rrobat.

Në vend që të merremi me shkaqet e këtyre ngjarjeve, paguajmë qindfishin e kostove të pasojave të politikave tona të gabuara! Gjithsesi duhet të jemi optimistë se dhe më keq do bëhet!/Syri