Shtator 28, 2022 09:51 Europe/Tirane
  • Vrasja në Pukë: Autori e qëlloi Pjetër Kolën me plumb në bark

Martin Pergjini nga Lezha është shpallur në kërkim nga blutë e Shkodrës, si autor i dyshuar i vrasjes së 44-vjeçarit Pjetër Kola, mbrëmjen e djeshme në fshatin Kaftallë të Pukës.

Nuk dihen ende më shumë detaje në lidhje me arsyet e vrasjes apo konfliktin ndërmjet viktimës dhe autorit.

Edhe viktima ishte nga Lezha, ndërsa u dërgua me urgjencë në qendrën shëndetësore të Vaut të Dejës nga 2 persona ende të panjohur, por gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua për pasojë u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Ai kishte marrë një plumb në bark dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, por nuk ia doli të mbijetonte. 

NJOFTIMI ZYRTAR

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i plagosjes së rëndë me pasojë vdekjen e 44-vjeçarit nga Lezha. 

Shërbimet e Policisë dhe grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Pukë, ku mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri shtetasi P. K., 44 vjeç, nga Lezha, i cili më pas ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës, kanë vijuar intensivisht punën për grumbullimin e provave, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.   

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit M. GJ. alias A. Gj., 36 vjeç, banues në Lezhë.      

Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur në fshatin Kaftallë, Pukë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Ndërkohë, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e personit të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje./syri