Rrokaj: Gjuha Shqipe nuk ka qenë në rrezik as kur nuk kishim shtet
Pedagogu Shezai Rrokaj, është shprehur se gjuha shqipe nuk është në rrezik, ndërsa ka theksuar se nuk mendon se duhet një ligj për mbrojtjen e gjuhës tonë.
Në një intervistë për Euronews Albania, Rrokaj theksoi se standardja e Gjuhës Shqipe është vendosur që 50 vite dhe sipas tij është një kohë shumë e shkurtër që shqiptarëve t’u kërkohet ta flasin shqipen në mënyrë të përsosur. “Kushtetuta e Shqipërisë përcakton qartazi se cila është gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë që është gjuha shqipe. Ka dhe një ligj tjetër që është miratuar në Parlament që është për mbrojtjen e pakicave. Unë nuk mendoj se duhet një ligj për mbrojtjen e gjuhës. Njerëzit e përdorin ashtu siç ju vjen. Standardja e gjuhës shqipe nuk ka më shumë se 50 vite. Është shumë kohë e shkurtër për t’iu kërkuar shqiptarëve të flasin gjuhën shqipe në mënyrë të përsosur. Gjuha shqipe nuk ka qenë në rrezik as në kohën kur nuk kishim shtet. Pse duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe prej shqiptarëve? Shqiptarët nëse bëjnë gabime me gjuhën, jo vjen për shumë arsye”- tha ai.